FDA miraton ilaçin e parë kundër Covid-19, reagon OBSH

0
430

Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) miratoi ilaçin antiviral remdesivir për të trajtuar nëpër spitale pacientët e infektuar me Covid-19. Ilaçi u përdor gjatë trajtimit të presidentit Donald Trump, pasi u infektua me koronavirus.

FDA u shpreh se ilaçi mund të përdoret për të trajtuar të infektuarit me Covid-19, të cilët përfshijnë pacientët e rritur dhe fëmijët mbi 12 vjeç, me peshë të paktën 40 kilogramë. FDA tha se vendimi u mbështet në analiza të të dhënave dhe provave klinike. Nga studimet e tyre, pretendohet se remdesivir shkurtoi kohën e shërimit.

Po Organizata Botërore e Shëndetësisë ç’thotë?

Remdesivir ka qenë një nga ilaçet e testuar nga OBSH në mbi 11,266 pacientë të rritur në 500 spitale në më shumë se 30 vende të ndryshme. Rezultatet sugjeruan se asnjë nga trajtimet, përfshirë këtu edhe remdesivir, nuk pati ndonjë efekt thelbësor në gjatësinë e kohës së kaluar në spital pas infektimit me virus.

Burimi: BBC