Fauci: Vaksinat e para antiCOVID-19 në dhjetor

0
99

Mendoj se një vaksinë do të jetë e sigurtë dhe efikase rreth fundit të nëntorit ose në fillim të dhjetorit, deklaroi imunologu, Anthony Fauci, fytyra më e njohur dhe më autoritare e grupit të punës së Shtëpisë së Bardhë kundër COVID-19.

Megjithatë ai shtoi se pyetja që ngrihet është pasi të kemi një vaksinë të sigurt dhe efektive, ose më shumë se një, si do të bëjmë për ta çuar atë tek njerëzit që kanë nevojë sa më shpejt të jetë e mundur.

“Sasia e dozave që do të jenë në dispozicion në dhjetor sigurisht që nuk do të jetë e mjaftueshme për të vaksinuar të gjithë”, theksoi Fauci në një intervistë me BBC News .

“Ne do të duhet të presim disa muaj deri në vitin 2021. Ajo që do të ndodhë është se do të ketë prioritete të llojit që personat që punojnë në sektorin shëndetësor do të jenë të parët që do e marrin vaksinën, gjithashtu dhe personat që i përkasin kategorive të rrezikuara nga komplikacionet”, shtoi ai.

“Ky proces mund të fillojë deri në fund të këtij viti, në fillim të janarit, shkurtit, marsit”, theksoi ai.

“Por kur bëhet fjalë për vaksinimin e një pjese të konsiderueshme të popullsisë, në mënyrë që të kemi një ndikim të rëndësishëm në dinamikën e përhapjes së virusit, kjo ndoshta nuk do të ndodhë para tremujorit të dytë ose të tretë të vitit”, nënvizoi Fauci./ATSH