Fatime (Fahredin) Kurtishi, pretendohet se ishte femra e parë rrobaqepëse në Preshevë

0
608

Nga Ferid Selimi

Fatime Kurtishi u lind në Preshevë në vitin 1918 dhe ishte fëmija i dytë nga pesë, sa kishte mulla Fahredini i Kamberëve të Preshevës. Preshevarët e njihnin si aba Fatush dhe ajo çka e bën të njohur abën Fatush, është zeja e saj e rrobaqepësisë e që në fokus kishte sidomos veshjet e nusërisë, por edhe të gjitha veshjet përcjellëse që shkonin me to, duke përfshirë vellon, duvakun, dimijat, dallamat, fustanat, kostumet si dhe zbukurimet e ndryshme që vendoseshin në veshjet e nuseve, e që punoheshin me dorë e me kreativitet nga vetë Fatime Kurtishi dhe vendoseshin në çeizin (pajën) e nusërisë.

Aba Fatush u martua me Jahja Mehmetin nga Presheva dhe nga kjo martesë u lindi një vajzë – Zenetija. Fatkeqëisht martesa e tyre zgjati shumë pak (vetëm 11 muaj) sepse burri i saj, Jahja Mehmeti ishte angazhuar në Lëvizjen Kombëtare për çlirim që kulmoi me betejën për mbrojtjen e kufirit te hekurudha në Preshevë. Pas arrestimit të tij në Breznicë të Bujanocit dhe transferimit të tij në burgun e Gjilanit nuk dihet asgjë më për fatin e tij, duke lënë kështu bashkëshorten dhe vajzën gjashtë javëshe jetime. Aba Fatush edhe pse mbeti në moshë shumë të re e vejë, nuk u martua asnjëherë dhe u kthye te familja e saj, ku dhe vazhdoi rritjen e vajzës jetime, si dhe zejen e rrobaqepësisë, duke u bërë simbol, sepse kishte raste kur njerëzit vinin një vit para dasmës për të caktuar termin për përgaditjen e nuses për dasmën që pasonte.

Pas rritjes së vajzës së saj, me mjete të fituara nga puna e saj bleu një shtëpi në qendër të Preshevës dhe aty vazhdoi dhe zgjeroi aktivitetin e saj, por tashmë e ndihmuar edhe nga vajza e saj. Në ndërkohë vajzën e martoi me mësuesin Halim Zejnullahu, prej të cilës martesë ka një mbesë dhe dy nipa.
Në vitin 1984 me vajzën dhe familjen e saj shpërngulen në Fushë Kosovë.

Aba Fatush ndërroi jetë në vitin 1987.

Vlen të theksohet që vdes në Preshevë, gjatë kohës sa ishte mysafire te djemtë e vëllezërve të saj dhe te motra e saj Ajshja.

Në foto: aba Fatush