Familja e Heroit të Kosovës Qerim Kelmendi kërkon nga Prokuroria Speciale e Kosovës zbardhjen e vrasjes

0
235

Sot, më 27 shkurt 2021, bëhet një vit që nga dita kur barbarisht u vra dhe u dogj trupi i Heroit të Kosovës, Qerim Kelmendi, vetëm 350 metra larg shtëpisë së tij në fshatin Llabjan të Pejës.

Në këtë ditë të dhimbshme për familjen tonë, shfrytëzojmë rastin që të informojmë opinionin e gjerë se deri me tani, organet e drejtësisë kanë dështuar që të zbardhin këtë rast.

Në një vjetorin e vrasjes së Heroit të Kosovës, Qerim Kelmendi, ne jemi thellësisht të indinjuar më mënyrën se si institucionet e drejtësisë e kanë trajtuar këtë vrasje të rëndë, përfshirë këtu Policinë dhe Hetuesinë e Pejës, Prokurorinë Themelore në Pejë dhe Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Mënyra e ekzekutimit të Qerimit, nga Prokuroria Themelore e Pejës, fillimisht është cilësuar si vrasje shumë e rëndë, shumë profesionale dhe tepër misterioze.

Rasti i vrasjes së Heroit të Kosovës, Qerim Kelmendi, më vonë ka kaluar në Prokurorinë Speciale të Kosovës në Prishtinë.

Përkundër faktit se Prokuroria Speciale e Kosovës prej muajsh ka në trajtim këtë rast, deri me tani nuk ka asnjë lëvizje konkrete në drejtim të identifikimit të autorëve të vrasjes dhe vënies së tyre para drejtësisë.

Ne, përfaqësuesit e familjes së Qerim Kelmendit, kemi takuar dy herë prokurorin e rastit në kuadër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, z. Haki Gecaj si dhe gjatë kësaj periudhe njëvjeçare i jemi drejtuar me dy kërkesa zyrtare, me qëllim që të kuptojmë se në cilën fazë kanë mbërritur hetimet.

Më 21 shkurt 2021, prokurorit z. Haki Gecaj, me shkrim, ju kemi drejtuar me kërkesën e dytë, përmes së cilës kemi shprehur pakënaqësinë e familjes tonë se pse edhe pas 11 muajve e 25 ditëve nuk kemi asnjë informatë apo njoftim lidhur me zbardhjen e këtij rasti.

Pas kësaj letre jemi ftuar në takim nga prokurori z.Gecaj, ku fatkeqësisht, më 22 shkurt 2021, në takimin tonë të fundit jemi njoftuar se akoma nuk ka marrë Aktvendim për fillimin e hetimeve.

Duke parë këtë mungesë të seriozitetit në hetimin e këtij rasti, ne i bëjmë thirrje edhe kryeprokurorit të shtetit, z. Aleksandër Lumezi, që të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore në kuadër të kompetencave të tij, për të zbardhjen e kësaj vrasjeje.

Çdo dështim për zbardhjen e vrasjes së Qerim Kelmendit, është dështim i institucioneve të drejtësisë për të ofruar drejtësi viktimës si dhe familjet e tyre.

Siç dihet botërisht, Heroi i Kosovës, Qërim Kelmendit, ishte njëri ndër ushtarët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe është ushtari i parë i plagosur i kësaj ushtrie.

Zbardhja e kësaj vrasje makabër duhet të jetë pikënisje për zbardhjen e vrasjeve të të gjithë Ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët nuk kursyen asgjë për atdheun e tyre.