Falënderim – Poezi nga Wislawa Szymborska

0
257

U kam shumë borxh

atyne që ma nuk i due.

Për kënaqësinë që ma kanë falë

Kur kanë vendos me i nejt ngatë dikuj tjetër.

 

Gëzimin që unë s’jam ma

ujku i kingjave të tyne.

 

Kjofshin të bekum, veç ashtu

unë jam e lirë,

e këta dashnia as mundet me na e dhanë,

as me na e marr.

 

Nuk i pres ma

sa te dera – te dritarja.

Jam e durueshme

gati si nji sahat diellor,

e kuptoj

ata që dashnia nuk e kupton,

e fali

ata që dashnia kurrë s’kish me e falë.

 

Prej takimit deri te letra

s’kalon nji përjetësi,

veç disa ditë a javë.

 

Udhëtimet me ta gjithë përfundojnë mirë,

koncertet dëgjohen deri n’fund,

vizitohen katedralet,

peisazhet shterohen.

 

E kur na ndajnë

shtatë palë male e lumenj,

janë veç male e lumenj

që i sheh gjithkund.

 

Falë tyne

unë jetoj në tri dimenzione,

në nji hapësinë jolirike dhe joretorike,

në nji horizont të lëvizshëm, të vërtetë.

 

Ata as vetë nuk e dijnë

çka bajnë në duart e tyne boshe.

 

“Borxh asgjë s’u kam”,

kish me thanë dashnia

për këtë çashtje të hapun.