Fahrije Hoti: “Zgjoi” dokumentoi jetën e vështirë të grave të Kosovës

0
483

Fahrije Hoti, jeta e së cilës është shndërruar në film artistik të metrazhit të gjatë dhe pikërisht ky film është vlerësuar me tre çmimet kryesore të festivalit prestigjioz “Sundance Film Festival”, ka emocionuar këtë grua nga Krusha e Madhe, e cila përgjatë luftës ka humbur bashkëshortin dhe e ka lënë me dy fëmijë, shkruan KultPlus.

Lajmin për tre çmimet e fituara e ka marë nga regjisorja e këtij filmi Blerta Basholli, e vetë Fahrija shprehet të jetë e lumtur që nëpërmjet historisë së saj, bota të kuptojë për vuajtjet e popullit shqiptar që i ka përjetuar nga regjimi serb.

“Nuk e kam pritë këtë sukses, Blerta Basholli më njoftoi me mëngjes, po e kam pas agjendën aq të ngjeshur sa nuk kam pas kohë as me festu”, thotë Hoti për KultPlus e cila udhëheqë tash e sa vite biznesin e saj në Krushë të Madhe, e cila tashmë është e njohur për prodhimin e ajvarit.

Se nëse ia ka shëruar pak plagët e vuajtjeve ky sukses i filmit, Fahrija thotë se është e lumtur se filmi “Zgjoi”, ka dokumentuar jetën e vështirë të grave të Kosovës që kanë qenë viktima të luftës, ka dokumentuar humbjen e bashkëshortëve, paragjykimet ndaj këtyre grave si dhe përballjen me varfërinë.

“Gratë e Kosovës kanë përjetuar luftën e luftës”, ka thënën Fahrije Hoti e cila është falënderuese për regjisoren Blerta Balloshin, por edhe për aktoren Yllka Gashin e cila ka bartë rolin e Fahrijes në këtë film.

Fahrije Hoti thotë më tej se ky sukses i këtij filmi është edhe sukses për Kosovën, pasi që vuajtjet e këtij vendi po marrin një dimension tjetër, dhe do të shihet nëpër kinema të ndryshme të botës.

Ajo mezi po pret të pijë kafen e mëngjesit me 23 punëtoret e saj, që të ndaj këto momente të gëzimit, ku jeta e këtyre grave paraqitet në këtë film, e për fëmijët e saj, Fahrija thotë se janë të lumtur se historia e jetës së nënës së tyre tashmë është kaq i famshëm.

Në këtë film ka luajtur edhe vjehrri i Fahrije Hotit, tashmë i ndjerë, dhe Fahrija shpreh keqardhjen që nuk arriti ta shijoj këtë sukses, e që sipas saj, ka bërë shumë për këtë film.

Filmi “Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit ka bërë historinë me vlerësimin që i është bërë në Sundance Film Festival, ku rolin kryesor e ka bartë Yllka Gashi, sikurse që ka luajtur edhe një kastë e gjërë e aktoreve të njohura kosovare.