Fadil Vokrrit i njihet statusi i qytetarit me merita të veçanta

0
59

Familja e legjendës së futbollit, Fadil Vokrri, ka pranuar vendimin e qeverisë së Kosovës, përmes së cilit, të ndjerit i njihet statusi i qytetarit me merita të veçanta për kontributin e tij dhënë në promovimin e sportit në arenën ndërkombëtare, shkruan OxygenPress.

Familjes së Vokrrit, e përfaqësuar nga bashkëshortja zonja Edita dhe djemtë Gramozi e Alberti, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ua dorëzoi vendimin i cili parasheh që familjes së Vokrrit i transferohen mjete financiare prej 1000 euro në muaj.

Gashi tha se përmes këtij vendimi shteti e shpreh mirënjohjen për kontributin dhe angazhimin që ka dhënë legjenda Fadil Vokrri.

“Qeveria ka marrë vendim që të ndjerit Fadil Vokrri t’i njihet statusi qytetar nderi me merita të veçanta për kontributin që ka dhënë në sport e veçanërisht në futboll dhe natyrisht ta ndajë një pagë mujore. Ne ju kemi ftuar që sot të ju japim vendimin e Qeverisë andaj edhe takimi jonë është i veçantë dhe emocional. gjithë ne që e kemi njohur Fadil Vokrrin krenohemi për angazhimin dhe punën e tij. Ne kemi pasur obligim që ta marrim këtë vendim pasi që të ai ishte një njeri i cili me veprat e tij të mëdha ka lënë gjurmë në futboll e veçanërisht me kontributin e tij në anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare të sportit”, tha Gashi.

E bashkëshortja e të ndjerit theksoi se Fadil Vokrri ka qenë shumë i përkushtuar për futbollin.

“Fadili ka punuar jashtëzakonisht shumë dhe ka qenë i përkushtuar maksimalisht për futbollin e veçanërisht për finalizimin e stadiumit. Po ashtu falë punës dhe angazhimit të tij Kosova tashmë është pjesë e shumë organizatave ndërkombëtare sportive andaj ju falënderoj për vendimin e marrë si dhe për nderimin për bashkëshortin tim”, tha ajo./OxygenPress.info