Elina Duni: Muzika xhaz është liri

0
196

Elina Duni, këngëtarja shqiptare e muzikës “etnoxhaz”, e mirënjohur në Europë e më gjerë, dhe pa dyshim në Shqipëri, është një artiste jo vetëm tejet e veçantë në stilin e saj, por edhe në raportin që ka me atdheun e saj Shqipërinë, pavarësisht se e larguar nga vendi i lindjes që në moshën 10-vjeçare.

Ajo është shumë e dashur për publikun shqiptar kudo në botë, ndërsa muzika e saj bëhet gjithmonë edhe më e ndjekur nga kushdo që e vlerëson muzikën xhaz, por ka edhe nostalgji për muzikën popullore shqiptare.

Gjeneva do të bëhej qyteti që e rriti, e edukoi dhe i hapi dyert e mundësive në jetë, ndërsa Shqipëria ka qenë e do të mbetet gjithmonë shtëpia e saj.

Edhe pse e larguar në moshë të vogël nga Shqipëria, Elina e flet shumë qartë shqipen dhe e këndon shumë bukur muzikën shqiptare të vjetër, por të veshur me motive xhaz. Kjo pasi gjyshi i saj ka qenë mësues letërsie dhe e ëma, shkrimtarja e njohur Besa Myftiu, e kanë vënë të lexojë shqip që kur Elina ishte 6 vjeç dhe që atëherë vazhdimisht ajo ka lexuar libra në gjuhën shqipe.

Kur flet për Shqipërinë, ajo thotë se ka shumë nevojë për atë energjinë që ka Shqipëria, një energji kaotike e përzier me natyshmërinë e njerëzve mes të cilëve në përgjithësi ekziston një lloj bashkësie. Elina ndjen se njerëzit duken shumë të afërt në Shqipëri, gati si një familje. Gjithashtu natyra shqiptare e prek shumë. “Dua të bëj diçka për mjedisin, sepse më dhemb. Më prekin malet, liqeni, deti dhe muzika folklorike”, shprehet ajo.

Elina Duni, vajza e aktorit e regjisorit të mirënjohur shqiptar Spiro Dunit, shprehet se atë e tërheq shumë muzika tradicionale ballkanike, pasi ajo përcjell njëkohësisht trishtim dhe gëzim, ky është paradoksi, por edhe arsyet që Elina e do shumë këtë lloj muzike. Ndërsa për të muzika xhaz është liri. “Është liria e improvizimit, është liria e të ndryshuarit të gjërave, ku nuk duhet të luash sipas një skeme, por edhe kur e ke një skemë, brenda kësaj skeme je i lirë të improvizosh”, shprehet ajo.

Elina Duni idenë për të përpunuar këngë të muzikës tradicionale në muzikë xhaz e mori për herë të parë nga pianisti i grupit të saj, Colin Vallon, me të cilin luan në koncerte e me të cilin krijoi edhe kuartetin e saj. Gjatë interpretimit, ajo komunikon me pjesëtarët e grupit të saj me shenja dhe lëvizje të mimikës. Sipas saj, xhazi është një muzikë ku njerëzit komunikojnë shumë me njëri-tjetrin. Shumë momente e nota nuk janë të shkruara, por janë të improvizuara dhe kontakti është shumë i rëndësishëm. Sipas Elinës, pa kontakt muzika nuk bëhet e mirë.

Ajo është e vetmja pjesëtare shqiptare e kuartetit, të gjithë muzikantët e tjerë janë të huaj. Ata e ndjekin Elinën me kujdes, pasi për ta ajo personifikon folkun shqiptar. “Ata të gjithë janë muzikantë të jashtëzakonshëm”, tregon Elina. Kuarteti ka eksperimentuar shpesh edhe me ritme turke e hebreje, duke qenë të hapur ndaj muzikës orientale dhe ekzotike, por “ajo që ndodhi me folkun shqiptar ishte më shumë diçka që lidhej me magjinë, sepse unë që herën e parë që është formuar ky kuartet kam ndier diçka magjike” shton Elina.

Këngët ballkanike, të përpunuara në këndvështrimin e muzikës xhaz, vijnë natyrshëm me vokalin e saj të lehtë, por edhe ritmik që përcjell gjithfarë ngjyrash vokale e skenike, herë të ëmbla e herë të egra, në përputhje edhe me notat e instrumenteve dhe mesazhin e çdo kënge.

Elina bën gjithmonë kujdes jo vetëm në zgjedhjen e muzikës, por edhe të teksteve të këngëve, aq më tepër që këngët popullore shqiptare njihen për fjalorin e rrallë dhe mesazhet e forta emocionuese që përcjellin nëpërmjet vargjeve. Me një qetësi që të ngroh shpirtin, apo me vrull që të bën të kërcesh, meloditë tradicionale të ndërthurura me muzikën xhaz të Elinës janë bërë një markë e saj, një markë që merr gjithmonë e më shumë vlerësim e famë. Në Zvicër, Francë, Gjermani etj., Elina Duni është vlerësuar si zëri më i veçantë i muzikës xhaz.

Këngëtarja dhe kompozitorja e njohur shqiptare, Elina Duni, është rikthyer me një album të ri muzikor. Albumi i saj i ri solo titullohet “Partir”. Radio Kombëtare Zvicerane përgatiti një event të veçantë transmetimi për promovimin e këngëtares me rastin e publikimit të këngëve të saj më të reja.

Për këtë projekt ri të Elinës është kujdesur gazetari i njohur zviceran Arnaud Robertin, për të cilin ajo ka shprehur mirënjohje. Albumi “Partir” ka këngë në gjuhën shqipe, melodi të cilat janë gjithashtu duke u transmetuar në radion kombëtare të Zvicrës.

“Partir” doli në treg më 13 prill në Zvicër, ndërsa në pjesën tjetër të Europës dhe ShBA-së nga 27 prilli./CRI

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu