Edicioni i dhjetë i Anibar ju fton në diskutim mbi frikën dhe shpresën!

0
28

Çka ju frikëson më shumë, a ka mbet ende shpresë?

Edicioni jubilar i Anibar, po vjen!

Edicioni i dhjetë i festivalit të parë dhe të vetmit të filmit të animuar, këtë vit mbahet nga datat 15 deri më 21 korrik në qytetin e Pejës. Kësaj radhe do të trajtojmë “Frikën dhe Shpresën” si temë kryesore të festivalit.

Në një shoqëri e cila vazhdimisht po bëhet indiferente ndaj ndryshimeve politike, sociale dhe mjedisore, Anibar shëndrrohet në hapësirë për ballafaqimin me ndryshimet, hapësirë për të frymëzuar veprimin dhe për të promovuar aktivizmin qytetar nëpërmjet artit që thërret për mbrojtje të lirive dhe të drejtave.

Hapësira qytetare është platforma brenda së cilës Anibar funksionin. Kur të drejtat kufizohen, hapësira qytetare tkurret, dhe rrjedhimisht funksionimi qytetar është i kërcënuar dhe i kufizuar.

A frikësohemi prej kësaj? A kemi shpresë ende?

Këto janë pyetjet që Anibar vë në pah këtë vit. Pse? Ajo që zakonisht dëgjojmë sot, kur të drejtat e njeriut janë të cenuara, është një gjuhë shumë legaliste, teknokratike ose “politikisht korrekte”, ku mesazhet shpesh janë koduar me kujdes. Kjo gjuhë është bërë gjithnjë e më e largët për ata që preken nga shkeljet. Kosova nuk është një përjashtim. Gjuha e profesionistëve të të drejtave të njeriut të përçuara nga aktivistë, akademikë, zyrtarë publikë apo gjyqtarë nuk lidhet plotësisht me nevojat reale të grupeve të margjinalizuara apo diskrimiunaura të shoqërisë.

Ne mendojmë se artistët mund të ndihmojnë në këtë drejtim. Andaj këtë vit Anibar sjellë filma të animuar, punëtori,prezantime, masterklasa, takime me animatorë vendor dhe botëror, debate, që prekin frikën nga ndryshimi që përmirëson gjendjen e të drejtave dhe lirive njerëzore.