Ecjet dimërore

0
80
Nga Klubi Aplin Prishtina
Shumë bjeshkatarë preferojnë të zhvillojnë aktivitete gjatë muajve të verës (pa bore), por është e rëndësishme të mbahet vazhdimësia gjatë gjithë vitit; muajt e dimrit nuk duhet të jenë jashtë aktivitetit, për sa kohë jeni të përgatitur në mënyrë korrekte.

Ecja dimërore është ndër përvojat më të bukura dhe më të shëndetshme që mund ti përjetojë një ecës malor. Varësisht nga terreni dhe intensiteti i ecjes, gjithmonë do të kënaqeni me pamjet dhe karakteristikat e veçanta të bjeshkës në dimër. Nëse i shtojmë këtu edhe benefitet tjera shëndetësore dhe rritjen e përvojës në ecje, atëherë patjeter duhet të zhvilloni aktivitete në dimër.
Mirëpo dimri kërkon më shumë përgatitje dhe kujdes !
Këshillat e mëposhtme do tu ndihmojnë në këto ecje;
Moti dhe terreni
Kontrollojeni motin paraprakisht, sidomos në rajonin ku do të ecni. Duhet së pari të dini se si janë kushtet e motit dhe kjo do t’ju ndihmojë të përgatiteni në mënyrë adekuate. Asnjëherë mos keni frikë ta ndryshoni planin ose madje ta anuloni ecjen nëse kushtet janë aq të këqija sa nuk keni besim të vazhdoni përpara.
Konsultohu me hartën e terrenit ku do të ecësh; edhe nëse kupton pak nga hartografia, gjithsesi do ta kesh një tablo më të qartë të territorit.
Kurrë mos dil vetëm
Nëse është hera juaj e parë që bëni shëtitje në dimër, zgjidhni një vend që e dini mirë ose edhe më mirë shkoni me një udhëzues me përvojë. Ka siguri në numër, kështu që kurrë mos shkoni vetëm.
Vishuni si duhet
Mënyra si visheni do tua zbukurojë ditën.. ose do ta prishë, prandaj kushtojini kujdes. Shmangni pambukun (mban lagështi dhe do tu ftohë kur laget), përdorni sintetikë dhe lesh kualitativ në shtresat bazike të veshjes. Veshja shtresore është mënyra më e mire për menaxhimin e temperatures trupore. I merrni disa rroba të ndryshme, duke filluar nga bluza izoluese bazike, pastaj duks dhe xhaketë e papëshkueshme nga era dhe uji. Këto veshje i kombinoni varësisht nga ndryshimi i motit, por gjithmonë kujdesuni që mos të vesheni më shumë se duhet.
Dorëzat dhe kapela dimërore duhet të jenë gjithmonë në çantën e shpinës, duke e konsideruar si rezerve edhe maskën e skijimit (balaklava). Të gjitha këto mund të gjenden në dyqanet sportive në Prishtinë dhe zakonisht qëndrojnë shumë vite.
Mendo për këmbët
Këmbët tona janë gjithnjë në kontakt me të ftohtin, prandaj mos dilni me çizme të verës ! Çizmet me një taban më të forte dhe të projektuara për kushte më të vështira janë të domosdoshme. Në çizme mos kurseni sepse zgjedhja e duhur do tua bëjë shumë të këndshme dhe të sigurt ecjen nëpër bore.
Zgjedhja e duhur e çorapave është gjithashtu e rëndësishme. Leshi merino është një zgjedhje e mirë pasi është jashtëzakonisht i ngrohtë, por duhet konsideruar edhe çorapë të holla rezerve të cilat janë me bazë sintetike dhe mëndafshi por vishen përmbi çorapet tjera, në rast nevoje. Sigurohuni që të keni vend të mjaftueshëm në çizme për të lëvizur gishtërinjtë.

Ejani të përgatitur
Gjithmonë merrni më shumë ujë dhe ushqim sesa mendoni se do t’ju duhet, në mënyrë që të keni mjaft për racionet e urgjencës. Përveç ushqimeve tjera, ideale është të mbani termos me supë, qaj ose çokolatë të ngrohtë. Nuk duhet të mungojë kutia esenciale me ndihmën e pare, shkrepsa, brisku, llampa etj
Natyrisht, duhet të siguroheni që të keni një çantë mjaft të madhe për të mbajtur gjërat që ju duhen; mendoni gjithnjë edhe për peshën që do ta bartni në shpinë, pra jo gjëra të cilat nuk ju duhen.
Komunikimi është thelbësor
Gjithmonë rri në kontakt me udhëheqësin e grupit dhe shtëpinë. Nëse jeni pak persona, njoftoni të afërmit paraprakisht ku dhe kur do të shkoni; njoftoni edhe verës por posaçërisht dimrit, sepse moti mund të ndryshojë papritmas. Sigurohuni që celululari të jetë i mbushur gjithmonë dhe mbajeni numrin e guides dhe numrat tjerë të emergjencës.
Filloni herët dhe mbaroni herët
Ditët dimërore janë më të shkurtëra prandaj shfrytëzojeni dritën për ecje; nisuni herët dhe kthehuni herët. Jini realist për atë që mund të arrini brenda një dite pasi akulli dhe bora mund t’i bëjnë shtigjet shumë më të komplikuara, ‘’arritja e majes është opsionale, kthimi obligativ’’.
Shkopinjtë dhe Getat
Shkopinjtë për ecje janë obligativ, jo vetëm që pikat shtesë të kontaktit do t’ju ndihmojnë në qëndrueshmëri, por ato janë të dobishme për gjetjen e brigjeve dhe vrimave të fshehura të bores. Getat japing siguri dhe komoditet në ecje; pa to është e vështirë të hapet bora e thellë dhe këmbët do tu lagen.
Mbrojini sytë
Syzet e diellit me mbrojtje UV400 (mund të jenë edhe syze skijimi)
Bëhu i/e zgjuar
Organizojeni çantën mire dhe merrni gjëra rezervë. Gjithashtu, mos harroni të leni në autobus, hotel apo veturë një pale këpucë rezervë, çorapë dhe ndërresa reserve, si dhe ndonjë ushqim; kjo do tua lehtësojë jetën pas kthimit.