Ecja, hapat tuaj deri te shëndeti

0
489

Ecja është një mënyrë e thjeshtë, e lirë, e angazhimit fizik dhe është ideale për njerëzit e të gjitha moshave dhe niveleve të fitnesit. Është e lehtë të përfshihet në rutinën tuaj të përditshme dhe nuk kërkon pajisje të posaçme.

Krahas shumë përfitimeve shëndetësore mendore dhe fizike, ecja mund t’ju ndihmojë të ndiheni pjesë e komunitetit tuaj dhe të zvogëloni vetminë dhe izolimin.

Shumë njerëz nuk e konsiderojnë ecjen si aktivitet fizik. Sidoqoftë, ju nuk keni nevojë të shkoni në palestër, të bëni not ose të merreni me sport për të marrë përfitimet e të qenit aktiv. Ecja është një mënyrë e shkëlqyeshme për të arritur nivelin e rekomanduar të aktivitetit fizik që na nevojitet për të qëndruar të shëndetshëm.

Që ecja të konsiderohet si një aktivitet i rekomanduar fizik, ju duhet të ecni me një ritëm që rrit shpejtësinë e frymëmarrjes dhe rrahjet e zemrës. Bërja e një shëtitje të shpejtë (sikur jeni vonë për një takim) për vetëm 30 minuta në ditë të paktën 5 ditë në javë mund t’ju ndihmojë të ndiheni mirë (do të ndiheni më të aftë dhe do të ndjeheni më mirë); do të keni më shumë energji, do të zvogëloni stresin, do të ulni presionin e gjakut, do të menaxhoni peshën tuaj dhe do të flini më mirë. Do të argëtoheni gjithashtu!

Përfitimet shëndetësore

Ngjashëm me format e tjera të aktivitetit të moderuar, ecja e rregullt është provuar të zvogëlojë rrezikun nga disa sëmundje kronike, duke përfshirë sëmundje të zemrës, sulmi në tru, astma, diabeti tip 2, mbipesha dhe disa lloje të kancerit. Mund të përmirësojë gjendjen shpirtërore dhe të zvogëlojë rrezikun nga depresioni.

Për njerëzit e moshuar, ecja më shpesh është një mënyrë e shkëlqyeshme për rritjen e lëvizshmërisë tuaj të përgjithshme dhe forcën e muskujve në pjesën e poshtme të trupit tuaj gjë që zvogëlon rrezikun gjatë rënies apo rrëzimit.

Për individët me sëmundje kronike si kanceri, COPD, artriti, sëmundjet e zemrës dhe diabeti, ecja mund të jetë e dobishme në ruajtjen e mirëqenies dhe pavarësisë tuaj. Mund t’ju ndihmojë gjithashtu të menaxhoni simptomat e sëmundjes tuaj dhe në disa raste t’i përmirësoni ato.

Përcjellja e aktivitetit tuaj

Pedometrat, aplikacionet e celularëve janë mjete të dobishme, motivuese për t’ju ndihmuar të ndiqni përparimin tuaj në ecje. Ju mund t’i përdorni ato për t’i vendosur vetës cak dhe për të matur suksesin tuaj.

Ekzistojnë gjithashtu përfitime sociale nga përdorimi i aplikacioneve për ndjekjen e aktiviteteve pasi ato ju mundësojnë të bashkoheni në bashkësi dhe grupe që merren me aktivitete të ecjes, të ndani rezultatet me miqtë tuaj dhe të krahasoni suksesin tuaj me të tjerët si pjesë e garave.

Ju mund aplikoni mënyra të thjeshta të ecjes, si:

• shfrytëzimi i shkallëve në vend të ashensorit

• ecja për në vendin e punës apo kthimi në shtëpi, dalja në kohë të pauzës me miq dhe kolegë

• ecja në distanca të shkurtra, në vend që të merrni makinën

• të regjistroheni në një shëtitje të organizuar për një motivim shtesë

Rritja e numrit të hapave çdo ditë mund të çojë në përfitime të mëdha shëndetësore. Ju duhet të synoni të krijoni një bazë solide të numrit të hapave apo minutave që bëni aktualisht, dhe të synoni ta rritni këtë gradualisht derisa të mos ecni për të paktën 2.5 orë në javë.

Filloni

Nëse vendosni të bëni më shumë ecje, konsiderojeni si opsion ecjen për në vend të punës, shoqërimin e fëmijëve tuaj në shkollë, ecjen deri në dyqan ose kur dilni për të vizituar miqtë, ecjen herët në mëngjes apo mbrëmje, etj.

Ju mund të filloni të ecni duke ndarë kohën në pjesë më të vogla d.m.th. të ecni për 10 minuta 3 herë në ditë ose 15 minuta dy herë në ditë. Vazhdoni pastaj me ecje në distanca më të gjata me një ritëm më të shpejtë. Zakonisht, gjithçka që ju nevojitet është një palë atlete apo këpucë të rehatshme, që do t’ua mundësojë të ecni të qetë dhe të siguroni mbështetje të përshtatshme për këmbët tuaja.

Hulumtoni për grupe lokale që dalin për hiking ose provoni të dilni me miqtë ose partnerin tuaj. Për disa, ecja me njerëzit e tjerë siguron motivim jo vetëm që të filloni të ecni më shumë, por edhe të vazhdoni me aktivitetin.

Ecja i ka të gjitha. E thjeshtë dhe e natyrshme, nuk kërkon ndonjë udhëzim ose aftësi të caktuar. Ju mund të ecni vetëm ose me miqtë për shoqërim. Ju mund të ecni brenda shtëpisë tuaj në ‘pistën për ecje’, ose jashtë në qytet apo jashtë qytetit. Ju mund të merrni të gjitha përfitimet e këtij aktiviteti të moderuar me një rrezik shumë të ulët të lëndimit. Dhe siç e thamë në fillim, ecja ka kosto të lirë. Duke marrë gjitha këto në konsideratë, Charles Dickens tha me të drejtë: “Ecni për të qenë të shëndetshëm, ecni për të qenë të lumtur”./Dr Jeton Zenuni