“E vdekur, se nuk më deshën për çfarë isha kur jetova po për hipokrizinë që krijuat ditën që më varrosët”

0
1093

Nga Flogerta Krypi

Trishtimet si ato të miat
janë ata që të kanë munguar
e mbase kur të më shihje
do e dije pse lexoj
do e kuptoje pse qaj
do e kuptoje pse kam vuajtur
për të ruajtur veten
ato pak pika kristal
që bota i shtyp
me frymën e vet të qelbur
nga aroma e heshtjes.
Vetmi si ajo e imja
do të kishte sjellë në vete
e do dije ça do të thotë
të të rrethojnë njerëz
e askush mos të të kuptojë
se janë lodhur duke u endur
në atë botën e tyre idiote
ku gjoja kanë të drejtë
për ruajtjen e injorancës tyre
e ti ke frikë në fund
nga mendimi im i lirë.
Lot si ato të mitë
do të kishin pastruar sytë
do të kishin bërë të më shohësh
e të më duash pa kufizime
se dashuria nuk është burg
nuk është kushtetutë
ku ti shkruan ligjet
e je gjykatës, avokat
e kush e di se çfarë tjetër.
Lodhje si ajo e imja
do të kishte bërë të përqafoje tokën
të lageshe në shi, pa çadër
të merrje frymë i lirë
mes pemëve, jo njeriut
jo dritareve, jo dyerëve.
do ishe i lirë dhe ti
nga gjykimet e botës
do ndjeje më shumë
duke qenë gjithmonë esëll
e në fund do e dije
ça do të thotë të flesh gjumë
me lotët e bëra varëse
mbi lëkurën tënde
e asnjë tjetër në këtë botë
nuk do ngjante më bukur
më joshëse
se unë, qënie e gabuar
e lindur për asnjë arsye të vetdijshme
e vdekur, se nuk më deshën
për çfarë isha kur jetova
po për hipokrizinë që krijuat
ditën që më varrosët.
Trishtim si ky i imi
ky të ka munguar
të dish si të jetosh me hijen
e një shpirti që të ka dashuruar.