E kujtojmë gjeniun e muzikës në datën e lindjes së tij

Ai ka pasur një jetë të vështirë ekonomike dhe madje shkruante letra për të kërkuar para hua që të mbijetonte.

Megjithatë, e keni ditur se në familjen e Moxartit, fillesë e karrierës së tij kanë qenë ushtrimet bashkë me të motrën? Si edhe në këtë kohë në mjaft vende të botës, një femre i përfundon karriera posa të martohet, kështu ka qenë dhe fati i trishtë i Nannerl, e cila ishte mjaft e zonja dhe bashkë me Moxartin performonin nëpër oborre mbretërore.

Artisti i zellshëm, kompozitori austriak Wolfgang Mozart ka krijuar një varg të operave, koncerteve, simfoni dhe sonata të cilat thellësisht i kanë dhënë formë muzikës klasike. Ai mësoi që të luajë në piano në moshën tre vjeçare dhe shumë shpejtë zhvilloi aftësitë e tij në të gjitha format e muzikës, duke u bërë kështu së shpejti muzikanti më i mirë i të gjitha kohërave, me realizimin e më shumë se 600 veprave muzikore.

Wolfgang Amadeus Mozart ka lindur me 27 janar të vitit 1756. Ai është biri i Leopold dhe Maria Pertl Mozart. Babi i tij kishte filluar që t’ia mësonte notat në piano vajzës së tij Maria Anna të cilën e thërrisnin Nannerl, gjersa Mozarti një tre vjeçar i shikonte duke imituar notat që ajo krijonte. Kështu ai filloi që të tregojë shumë shpejtë aftësitë e të kuptuarit të zërit, tonalitetit dhe ritmit. Babi i tyre përpiqej që t’i mësonte që të dy më shumë për muzikën duke i afruar me të si një mënyrë e argëtimit, mirëpo duke mos lënë anash mësimet. Kështu që të dy fëmijët u treguan të suksesshëm në këtë drejtim madje Mozarti filloi që të kompozojë në moshën 5 vjeçare duke treguar aftësi mahnitëse në klaviçembal dhe violinë.

Kurse në vitin 1762, babi i tyre mori Nannerl, në atë kohë 11 vjeçare dhe Mozarti 6 vjeçar performuan në oborrin mbretëror në Bavari, në Munich ku edhe filluan paraqitjen e tyre të cilat pastaj vazhduan si një lloj turne nëpër Evropë. Në këtë mënyrë Mozarti filloi që të takojë shumë muzikantë dhe performues të ndryshme në mesin e të cilëve ishte Johann Christian Bach i cili pati një ndikim të madh në punën e Mozartit. Mirëpo karriera e motrës së tij përfundon në kohën kur ajo arrin moshën për t’u martuar, pasi që, në atë kohë konsiderohej se ajo nuk duhet që të shfaqet më në publik, gjersa Mozarti vazhdon karrierën edhe jashtë Austrisë së bashku me babin e tij.

Disa nga veprat e tij janë: opera “La Finta Giardiniera”, “Idomeneo, Mbreti i Kretës“,“Martesa e Figaros“ (1784), “Don Zhuani“ (1787), “Flauti magjik”, si dhe sonata të ndryshme për violinë, për piano, kuintete, pastaj simfoni të ndryshme, sonata, si dhe muzikë kishtare.

Mozarti ishte gjithë kohën i zënë duke kompozuar, duke dhënë mësime, duke organizuar koncerte apo duke mbyllur pagesa për punët e tij. Menjëherë pasi puna e tij shitej, blerësi i saj mund ta kopjonte e ta shiste duke fituar para nëpërmjet saj, pa shkuar asnjë kacidhe në xhepat e autorit (E drejta e autorit akoma nuk ishte e njohur në Austri deri 30 vjet pas vdekjes së tij). Për këtë arsye Mozarti i ruante manuskriptet e tij duke mos përfunduar pjesët për piano në mënyrë që të nxirrte fitime prej tyre. Kjo mund të jetë dhe arsyeja pse në një pjesë të veprave të tij mungon pjesa për piano.

Në 1782-shin, kundër dëshirës të së atit, Mozarti martohet me motrën e vogël të ish të dashurës së tij, Kostancën. Pas martesës, Mozarti shkon në Vjenë, ku për një farë kohe gëzon sukses me veprat e tij. Ndërkohë marrëdhëniet e tij me të atin dhe motrën ishin ftohur, kështu ai u përjashtua edhe nga testamenti i të atit të tij.

Kompozitori i famshëm gjatë karrierës së tij është përballur shumë me probleme financiare. Ai i ndodhur në gjendje shumë të vështirë ekonomike filloi të merrte hua. Letrat që ka lënë ai janë zemërcopëtuese, pasi që në to ai lutej për të marrë të holla hua nga njerëzit. Në 1789-ën Mozarti udhëtoi në Berlin e më pas në Frankfurt duke shpresuar për një pozitë më të mirë, por asgjë. Bashkëpunimi me Emanuel Schikaneder, pronarin e një teatri në zonën e klasës së mesme të Vjenës, dhe trupën e tij, solli në skenë operan “Flauti magjik”, që u bë menjëherë popullore e i dhuroi Mozartit një shije të fundit të suksesit.

Pas premierës së saj në shtator të 1791-shit, dukej sikur gjërat po merrnin për mirë për të dhe familjen e tij. Mirëpo në nëntor kur ai kishte punuar rreth 30% të veprës së parapaguar “Rekuiem”, sëmuret rëndë. Pavarësisht nga mjekimet dhe përkujdesjen e mjekëve më të njohur të Vjenës, gjendja e tij sa vinte dhe keqësohej, kështu ai vdiq me 5 dhjetor, 1791. Nuk ka asnjë raport në këtë datë mbi shkakun e vërtetë të vdekjes së tij, kurse ai u varros në një varrezë periferike pa shumë ceremoni. Për shkak se familja apo admiruesit e tij nuk vunë menjëherë shenjë dalluese mbi varrin e tij, vendndodhja e saktë e varrit të tij akoma nuk dihet.

Kjo ishte një pjesë e jetës dhe veprimtarisë së Mozartit i cili ka lënë gjurmët e tij të përjetshme në muzikë. Gjurmë këto të cilat vazhdojnë që të kenë ndikim edhe sot në muzikën klasike, veprat e tij vazhdojnë që të luhen nëpër koncerte simfonike./OxygenPress.info