E ç’kusur i kam kësaj bote të kapërdihem në egon mashkullore vetëm sepse kam trup e fytyrë të bukur?!

0
386

Përshëndetje botë, nga unë “qenia femër”,

Jam rritur sot, e ndryshe nga ditët e tjera po jetoj për veten time. Sapo mbylla një ditë të lodhshme, nga saga e njerëzve të cilët koha nuk i ndryshon, por u zhveshë maskat atëherë kur më së paku e presin.

Kam mësuar shumë sot, mësova se si lexohej qartë zilia dhe shtirja e asaj që prej vitesh ndava një kafshatë buke, ndava nje lot të shpirtit tim. E kisha quajtur mike! Sa shpesh ndodh diçka e tillë!

Sot u njoha me intrigat e gjinisë mashkullore, dëshirës së një epshi të paskrupullt të një eprori dhe muret e zyrës që më shikonin me keqardhje. Përpëlitesha thellë nga indinjata në veten time ndaj kësaj marrëzie. Forcë e pushtet abuzues në karrigen e një mashkulli. E gjora femër! Atëherë kur ajo me dinjitetin e saj reagon, kundërshton këtë fasadë kaq të shëmtuar, atëherë ajo ‘bën të vështirën’ dhe e pret një “Je e paaftë për atë vend pune”.

Hedh vështrimin tej, larg, në ftohtësinë e asaj zyre, muret e së cilës shikojnë me keqardhje për të të thënë se je thjeshtë “Një vik*timë e radhës” ose një “Femër e lehtë”, e cila ka krijuar një përshtypje të tillë për të gjithë gjininë femërore.

Gjynah të bëhesh e tillë!
E ç’kusur i kam kësaj bote të kapërdihem në egon mashkullore vetëm sepse kam një trup e një fytyrë të ‘bukur’?
Vallë ky është privilegj nga Zoti apo një dënim për gjininë?
Veshur me taka të moralit tim të lartë, me kokën drejt e sytë në drejtimin e hapave të mi, tentoj të mbijetoj nën sulmet e planifikuara të ligësisë së një mashkulli, që nëse nuk të fiton me hir, përpiqet e skalitet me intriga pafund.

Koha kalon e vrapin e saj nuk e ndal as per të më pritur mua të shërohem, as për ndryshimin më të vogël në respektin e vlerave femërore, për asgjë, për asnjë.

E vjen një ditë në të cilën kupton se koha zbulon gjithçka, çdo arsye, çdo veprim, çdo njeri për të cilin mendoje se ka ndryshuar, por që në të vërtet koha maskën i ka lëshuar./supergrate