Dyshime se dikush po i helmon qentë në Prishtinë

0
150
qeni

Fondacioni për të drejtat e kafshëve ka ngritur shqetësimet për helmim të qëllimshëm të qenve në Prishtinë, saktësisht në Parkun e Qytetit.

Në një postim në rrjetin social Facebook shkruajnë se abuzimi dhe vrasja e qenve, është veprim i dënueshëm me gjobë dhe burg sipas Sodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Këto veprime, përveç që janë mizore dhe kriminale, nuk e zgjedhin problemin me numrin e madh të qenve endacakë në Kosovë”, thuhet në këtë postim.

Po ashtu kanë ardhur reagime të qytetarëve që shprehin brengën e njëjtë.

“Po ju shkruaj lidhur me një dukuri ditëve të fundit te Parku i qytetit në Prishtinë. Brenda dy ditëve, kanë ngordhur qentë pasi që kanë ngrënë sallame të lëna nga dikush në park. Simptomat janë të njëjta: dridhje, dhimbje, shkumë nga goja deri në pushim të zemrës. Sipas veterinerëve këto janë simptoma të helmimit. Shumë aktivistë që përkujdesemi për qentë endacak po dyshojmë që janë duke u bërë helmime të qëllimshme dhe të jashtëligjshme me qëllimin për me i vra… Brenga jonë është që kushdo që e ka kryer këtë krim në këtë mënyrë kaq tinëzarë dhe mizore do të vazhdojë deri në shfarosjen e qenve pa u ndjek nga ligji”, thuhet në emailin dërguar Telegrafit.