Dy studentë italianë dënohen me 27 milionë euro për ndezje të pyjeve

0
44

Dy studentë italianë, të cilët u shpallën fajtorë për shkaktim të një zjarri të madh në pyje në rajonin e Komos, janë dënuar me 13.5 milionë euro secili.

Djemtë e moshës 22-vjeçare ishin duke pjekur mish në skarë në shtëpinë e gjyshit të njërit prej tyre kur zjarri kishte dalë nga kontrolli në dhjetor të vitit të kaluar.

Shuma e madhe e gjobës u llogarit nga autoritetet lokale në bazë të një formule për vlerësim të dëmit të shkaktuar nga zjarri.

Duke folur për një gazetë italiane, njëri nga studentët tha se i vjen shumë keq për zjarrin, por se ai është shkaktuar nga shumë burime tjera, e jo vetëm nga zjarri i skarës së tyre.

“Ne u fajësuam për një zjarr që nuk mund të shpjegohet. Ne jemi viktimat e vërteta të kësaj ngjarjeje. I lajmëruam menjëherë zjarrfikësit dhe u futëm me trupat tanë për ta shuar zjarrin”, tha ai.

Megjithatë, prokurorët thanë se burimi i zjarrit të madh erdhi pikërisht nga shtëpia ku ndodheshin djemtë. Sipas tyre, zjarri u shkaktua nga gacat e skarës dhe u përhap shpejt për shkak të temperaturave të larta dhe thatësisë së madhe.

Zjarri kishte qëndruar i ndezur për disa ditë dhe i kishte djegur rreth një mijë hektarë pyje. Sipas rregullores për llogaritje të dëmeve nga zjarri, fajtori dënohet nga 118 deri 593 euro për metër katror, shkruan “BBC”.