“Dua të jem pranë teje dhe mendja, ku nuk më shkon, ma merr dashuria”

0
93

Nga Petrit Ruka

Dua të jem pranë teje dhe mendja,
ku nuk më shkon, ma merr dashuria,
pse mos te jem unë këmisha jote e gjumit,
të ndajë trupin tënd nga çarçafi me vija.

Pse të mos jem unë jastëku i butë,
dhe fjongo për flokët e kapur mënjanë,
pastaj ëndrra e parë, e varur qerpikëve,
kur truri do bëhet i gjithë mjegullanë…

Përse të mos jem unë ora jote e dorës,
që mat jetën tënde, pranë komós, tek koka,
t’i mbajë ingranazhet, të lëvizin ngadalë,
të shkosh sa më vonë si mrekulli, nga toka.

Të jem unë uji i dushit që trupit tënd,
t’ia këndoj lëkurën, me gaz e me lutje,
Të futem ngado pa vizë, e doganë,
aty ku ti ndjen të ëmblat këputje.

Të jem psherëtima në mushkritë e tua,
dhe furça e dhëmbëve të jem në mëngjez,
pastaj buka e thekur dhe çaji i malit,
si bulëz parfumi tek qafa të vdes…

Kur del për punë më shko si një varëse,
lëshomë si medalioni, që bie tek gjinjtë,
harromë ti pastaj, do bëj si do bëj,
di vetë kur të zgjohem nga gjum – i florinjtë.