Dua Lipa në një rrëfim emocional: “Forcat serbe i kërkuan gjyshit të rishkruante historinë”

0
169

Në intervistën e fundit për Rolling Stone, Dua Lipa ndër të tjera ka folur për arsyen pse është gjithnjë e gatshme të ngrejë zërin për problematikat kudo në botë.

“Njerëzit në internet më thonë të hesht për çdo gjë dhe vetëm të këndoj, por unë mendoj se ata e harrojnë sa e vogël është bota. Dhe po bëhet gjithnjë e më e vogël.”

Rolling Stone shkruan se “familja e Duas është shqiptare e Kosovës, refugjate e konflikteve në Ballkan dhe të dy gjyshërit e saj ishin historianë.”

“Gjyshi im nga ana e babait po shkruante libra për gjithçka që po ndodhte”, shpjegon ajo. “Kur ndodhi pushtimi, forcat serbe i kërkuan që të rishkruante historinë. Ai nuk pranoi dhe humbi punën. Prandaj, fakti që ndjej të flas kur diçka nuk shkon, është pjesë e asaj që jam. Dua të qëndroj pranë gjërave në të cilat besoj.”

Ndërsa luftrat u shtuan, prindërit e Duas u larguan nga universiteti. Babai i saj po studionte për stomatologji, ndërsa nëna për drejtësi. Ata shkuan në Londër, duke u vendosur në një komunitet të refugjatëve të Kosovës që ishin bashkuar në Camden, për t’i shpëtuar dhunës rajonale të shtëpisë së tyre.

Si shumë emigrantë, iu duhej të punonin në bare dhe restorante, madje të bënin disa punë njëkohësisht dhe natën të ndiqnin shkollën.

Dua lindi tre vite më vonë.

Në moshën 9-vjeçare, ajo filloi t’i kalonte të shtunat në shkollën e teatrit Sylvia Young, në të cilën kishin qenë pjesë edhe Rita Ora, Tom Fletcher dhe Amy Winehouse.

Pas disa leksioneve, një nga mësuesit e muzikës e dërgoi në një klasë më të avancuar.

“Ai ishte personi i parë që më tha se mund të këndoja”, shprehet Dua.

Ajo thotë se u rrit duke e ditur se Londra ishte vendlindja e saj, por jo shtëpia.

“Me situatën e refugjatëve, njerëzit nuk e kuptojnë se nuk do largoheshin nga vendi i tyre nëse s’do ishte e nevojshme. Plani ishte gjithnjë që të ktheheshim në Kosovë.”

Në moshën 11-vjeçare ajo dhe familja e saj kthehen në Kosovë.

“Bëra shumë miq dhe ata më prezantuan me muzikë fantastike hip-hop.”

Sidoqoftë, ajo dëshironte të kthehej në Londër, në leksionet e muzikës dhe në mundësitë e mëdha që ndjente se e prisnin atje. Dhe kështu bëri!

Pjesa tjetër është histori…

Burimi: Anabel