Drita vazhdon me fitore, Flamurtari e Trepça’89 arkëtojnë pikë të rëndësishme

0
48

Janë zhvilluar tri ndeshjet e para të javës së 27-të në Ipko Superligë. Drita ka vazhduar serinë e fitoreve, duke e mundur skuadrën e fundit në renditje, Dukagjinin, me rezultat 2:0.

Skuadra nga Klina rezistoi deri në minutën e 53-të, kur Liridon Leci e zhbllokoi rezultatin, derisa fitoren e liderit e konfirmoi Astrit Fazliu, me golin e shënuar në minutën e 88-të. Ndeshje mjaft interesante u zhvillua në kryeqytet ku Flamurtari e mundi Ferizajn, me rezultat 3:2, me golat e shënuar nga Shend Kelmendi (43’-pen, 58’) e Bashkim Shala (50’), derisa për ferizajasit realizuan Bunjamin Asani dhe Filonit Shaqiri.

Në ndeshjen tjetër të rëndësishme në garën për mbijetesë, Trepça’89 ka shënuar fitore si mysafire në Skenderaj në duel me Drenicën, me rezultat 4:2. Mitrovicasit kaluan të parët në epërsi me golin e Milot Avdylit në minutën e 7-të, por drenicasit më pas përmbysën rezultatin me golat e Alban Shillovës dhe Hasan Hysenit.

Megjithatë, baraspeshën në rezultat e ktheu Engjëll Hoti para se skuadrat të shkonin në pushim.

Ndërkohë, në pjesën e dytë mysafirët shënuan edhe dy gola nëpërmjet Leart Eminit dhe Berat Ahmetit, për të regjistruar fitore tejet të rëndësishme për mbijetesë.