Drita Agolli, gruaja e parë shqiptare e diplomuar për regjisurë

0
507

Fëmijëria

Drita Agolli (Strazimiri) lindi më 2 qershor të vitit 1927 në Maqellarë të Peshkopisë, është aktore, regjisore dhe pedagoge e njohur shqiptare.

Në vitin 1950 fillon punë në Teatrin Popullor si aktore. Roli i parë i Drita Agollit ka qënë Marieli tek “Zëri i Amerikës” nga Lavrenjev, në vitin 1951. Në 1954 Drita Agolli ndoqi studimet e larta ne Institutin e Arteve të Bukura në Bukuresht, Rumani, për skenografi dhe kostume teatri.

Në shtator të 1956 vijon studimet e larta në ish Bashkimin Sovjetik, në Institutin e Artit Dramatik të Moskës me emrin e Lunaçarskit (GITIS) për regji teatri. Pasi diplomohet në atdhe, në 1960 emërohet në Teatrin Popullor, si aktore, por pas vitit 1963, e emëruar tashmë regjisore në Teatrin Kombëtar, ve në skenë disa pjesë të suksesshme të dramaturgjisë botërore dhe kombëtare.

Rolet në skenë

Si aktore përmendim rolet e Marielit “Zëri i Amerikës”, Bianka “Otello”, Gertruda “Hamleti”, Klea “Dhelpra dhe rrushtë”, Ortensia “Zonja e bujtinës”, Drita “Mbi gërmadhat”, Anarda “Qeni i kopshtarit”, Elena Andrejevna “Qeni i kopshtarit”, Donna Luçia “Karnavalet e Korçës”, etj.

Regjisore

Si regjisore ka vënë në skenën e Teatrit Kombëtar dhe në disa skena të qyteteve të tjera të vendit: “Shtrëngata”, “Llampa e neonit”, “Tokë e zjarrtë”, Lumi i vdekur”, “Pabesia”, “Luiza Miler”, “Familja e peshkatarit, “Njerëzit e thellësive”, “Te ura”, “Djali plangprishës”, “Shënomëni dhe mua”, “Marianida Pineda”, “Njeriu, virtyti dhe kafsha”, etj.

Drita Agolli vlerësohet edhe për kontributin e vyer të saj si pedagoge në Katedrën e Artit Dramatik të Institutit të Lartë të Arteve, sot Akademia e Arteve të Bukura, duke përgatitur disa breza aktorësh, të cilët konsiderohen sot si thesar të artit dramatik dhe kinematografik shqiptar. Në vitin 1974 emërohet Shefe e Katedrës së Dramaturgjisë të atij Instituti.

 

Majat artistike

Regjisorja e re në atë kohë Drita Agolli, ngjit në skenë dramën kineze “Shtrëngata”, ku interpretojnë aktorët: Kadri Roshi, Drita Pelingu, Ndrek Luca, Marije Logoreci, Lazër Vlashi…

Drita Agolli kishte vetëm disa vite që ishte kthyer nga studimet për regji në institutin “Lunaçarski” në ish-Bashkimin Sovjetik për regji teatri, kur vendosi të ngjiste të skenën e Teatrit Kombëtar pjesën e dramaturgut kinez Cao Y “Shtrëngata”. Agolli ishte vetëm 36 vjeçe kur i dha jetë shfaqjes që tregonte Kinën e viteve ‘30.

Ishte koha kur Shqipëria komuniste kishte filluar të hidhte sytë nga Kina, si aleatin kryesor, dhe situatë në kulturë e reflektonte këtë. “Kur lexon dramën kineze “Shtrëngata” apo sheh spektaklin e saj nuk e ke të vështirë ta kuptosh se ke të bësh me një vepër të fuqishme, me një dramë të denjë për çdo skenë të botës.

Autori i saj, dramaturgu Cao Y, me talentin e tij të njohur, ka arritur të fiksojë në faqet e një drame ngjarje që zhvillohen brenda 24 orëve, por që zbulojnë para nesh me mjeshtërinë e vërtetë jetën e Kinës së viteve ‘30”, thuhet në shkrimet e asaj periudhe për këtë shfaqej.

“Shtrëngata” është një dramë e thellë psikologjike-sociale, me karaktere të spikatura mirë, me situata të forta, me një tension dramatik të vazhdueshëm e gjithnjë e në ngritje.

“Kuptohet se regjisorja e re, Drita Agolli, veproi shumë mirë që zgjodhi pikërisht këtë vepër për ta vënë në skenë. Dobia këtu qe e dyfishtë, nga një anë, ajo provoi forcat e veta për herë të parë në një vepër të vështirë psikologjike dhe nga ana tjetër i shtoi repertorit të Teatrit Popullor një dramë të vlefshme.

Puna serioze e regjisores duket dhe në shkurtimet që i ka bërë veprës. Një gjë e tillë sipas autorit “është në të mirën e spektatorëve të huaj”, shkruan Mihal Luharasi në një shkrim të vitit 1963. Sipas tij, regjia dhe piktori me mjetet e tyre shprehëse qysh në hapjen e perdes na japin atmosferën në të cilën zhvillohet drama.

Ideja e tyre për ta paraqitur shtëpinë e pronarit të minierës Xhou Pu-Juanit, si një kryqëzim kanalesh, në thellësi të të cilëve shihet një copëz qielli është kuptimplotë dhe e gjetur. Shfaqja është konsideruar si suksesi i parë i regjisores Drita Agolli. Përkthimi i dramës nga gjuha kineze është bërë nga Nazmi Qamili, ndërsa redaktimi prej shkrimtarit Vedat Kokona.

Çmimet dhe Nderimet

Duke ia njohur talentin, përgatitjen profesionale artistike dhe pedagogjike, si dhe përkushtimin e palodhshëm të kësaj artisteje ndaj ngritjes dhe evidentimit të vlerave të artit dramatik shqiptar, aktorja, regjisorja dhe pedagogia Drita Agolli nderohet me titullin “Artiste e Merituar” në vitin 1985.

Ndërsa në vitin 2001, nderohet me titullin më të lartë “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë. Drita Agolli ka botuar një sërë artikujsh kritikë në lëmin e artit skenik, si dhe një libër autobiografik “I paemri”, i pritur ngrohtë nga specialistët e fushës dhe publiku i gjerë.