Drenica realizon fitoren e parë, Arbëria arkëton një pikë ndaj Prishtinës

0
107

Edicioni i ri në Superligë ka vazhduar me dy ndeshjet e zhvilluara sot. Skuadra debutuese në elitë, Arbëria ka arritur të arkëtojë një pikë në duel me Prishtinën.

Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Agron Rama” në Obiliq u mbyll me rezultat 1:1. Rezultati u zhbllokua në minutën e 10-të kur Dior Zabërgja shënoi një supergol, duke e kaluar Arbërinë në epërsi.

Megjithatë, Prishtina arriti të barazojë shifrat në minutën e 35-të me golin e shënuar nga Otto John. Në pjesën e dytë bardhekaltrit e kryeqytetit ishin më këmbëngulës drejt portës rivale, por nuk arritën të gjejnë hapësira për të gjetur golin e fitores.

Në ndeshjen tjetër Drenica shënoi fitore në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj kundër Besës, me rezultat 2:1. Ndeshja nisi mirë për mysafirët, të cilët kaluan në epërsi në minutën e 34-t, me golin e shënuar nga Matheus De Paula.

Megjithatë, kuqezinjtë e Skenderajt reaguan shpejt dhe në minutën e 44-t barazuan shifrat me golin e Hysen Tahirit nga penalltia, derisa golin e fitores e realizoi Qemail Elshani në minutën e 60-të.