“Do prekësh pllakën e mermertë, plot me shkronja “Dritëro Agolli” “

0
44

Nga Dritëro Agolli

Ti do vish përhumbur në varrezë,
Në Tiranë a në një fshat Devolli,
Dhe do prekësh pllakën e mermertë
Plot me shkronja “Dritëro Agolli”.

Sigurisht dhe lule do të sjellësh,
Mbase do vajtosh dhe gjer në darkë,
Lotët si nga çezma do t’i derdhësh
Kokën do mbështetësh përmbi pllakë.

Po s’do shoh as lule, as kurora,
Dhe përgjithësisht në varr të thellë
Lotin s’do dalloj nga shiu a bora,
Qan ti vetë a hingëllin një pelë.