Distria Krasniqi e argjendtë, Akil Gjakova i pesti në Grand Slamin e Parisit

0
93

Një medalje e argjendtë dhe një vend i pestë është bilanci i suksesit të sotëm të xhudistëve tanë në Grand Slamin e Parisit.

Medaljen e argjendtë e fitoi Distria Krasniqi në kategorinë deri në 48 kilogramë, ndërsa vendin e pestë e zuri, Akil Gjakova, në kategorinë deri në 73 kilogramë.

Kampionia e Evropës, Nora Gjakova, nuk e kishte ditën, pasi u ndalë në luftën e parë nga Jisu Kim e Koresë së Jugut, kategoria deri në 57 kilogramë. Kjo treshe përfaqësoi ekipin e xhudos në Paris.

Në një konkurrencë të fortë, Distria pas katër fitoreve arriti në finale, ku humbi nga japonezja, Ami Kondo.

Ndërkohë, Akili, që vitin e kaluar fitoi të artën në këtë Grand Slam, këtë herë udhëtimi i suksesshëm u ndal pas tri fitoreve, konkretisht në gjysmëfinale dhe në luftën për të bronztën, ku u mposht nga medalisti i artë Olimpik nga Rio 2016, Fabio Basile.

Krasniqi fitoi 700 pikë Olimpike për Tokio 2020, ndërsa Akili 360 sosh.

Gara e Grand Slamit të Parisit vlerësohet si ndër më të fortat në xhudo, kurse luftërat e sotme u ndoqën nga rreth 15 mijë të pranishëm.