Diplomatët kosovarë do të mësojnë frëngjishten dhe trajnohen në Francë

0
250

Akademia Diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Republikës së Kosovës, të martën nënshkroi një Marrëveshje Mirëkuptimi dhe një Protokoll Marrëveshje me Ambasadën e Republikës së Francës në Kosovë, për mësimin e gjuhës frënge nga diplomatët kosovarë.

Përveç thellimit tutje të raporteve bilaterale, me anë të këtyre marrëveshjeve synohet edhe trajnimi i diplomatëve kosovarë në Francë nga Shkolla Kombëtare e Administratës.

Me këtë rast drejtori i përgjithshëm i Akademisë Diplomatike, ambasadori Sabri Kiçmari, shprehu falënderim për përkrahjen e ofruar nga Franca dhe theksoi se kjo marrëveshje është në shërbim të thellimit të marrëdhënieve jo vetëm ndërmjet Kosovës dhe Francës, por edhe ndërmjet Kosovës dhe të gjithë popujve të shteteve anëtare të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë, ku Republika e Kosovës ka avancuar statusin e saj si anëtare e asociuar në tetor 2018. “Këto aktivitete, si tërësi, do të kontribuojnë në ecjen përpara të Frankofonisë në Kosovë”, tha ai.

Në anën tjetër ambasadorja franceze znj. Marie-Christine Butel, falënderoi z. Kiçmari për mikëpritjen dhe nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve të cilat do të mundësojnë zbatimin e aktiviteteve të bashkëpunimit bilateral: kurse të gjuhës frënge në Aleancë Franceze të Prishtinës, si dhe trajnime në Kosove dhe Francë poashtu, nga Shkolla Kombëtare e Administratës.

Pjesë e nënshkrimit të marrëveshjeve ishte edhe presidentja e Aleancës Franceze të Prishtinës, znj. Dafina Bytyqi.

Akademia Diplomatike, që prej themelimit më 2013, ka bashkëpunuar me Ambasadën e Francës dhe Aleancën Franceze në Prishtinë. Mirëpo, kjo është marrëveshja e parë 6-vjeçare ndërmjet palëve ku çdo vit nga 30 diplomatë do të përfitojnë në mësimin e gjuhës frënge, ndërkaq, nga 3 prej tyre çdo vit do të trajnohen në fusha të ndryshme në Paris.