Diplomatë të ambasadës së Norvegjisë vizitojnë FSK-në

Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës e vizituan dje  diplomatë dhe oficerë-kadetë të ambasadës së Norvegjisë në Republikën e Kosovës në Prishtinë, dhe të ambasadës së Norvegjisë në Beograd.

Delegacioni i diplomatëve norvegjezë në ambientet e Ministrisë së FSK-së, u pritën nga koloneli Agron Bajrami, drejtor i Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar, koloneli Haki Hoti, drejtor i Departamentit për Transformim, Modernizim dhe Standardizim të FSK-së, majori Vegim Kerlani, komandant i Qendrës së Studimeve Universitare të FSK-së dhe kapiten Jaser Mulla, oficer i kabinetit të komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, njofton MFSK, përcjell OxygenPress.

Kolonel Haki Hoti, përmes një prezantimi e njoftoi delegacionin norvegjezë me zhvillimet e përgjithshme të FSK-së, misionin, strukturën, kapacitet, operacionet, trajnimet, planifikimin, rishikimin strategjik të sektorit të sigurisë dhe transformimin e Forcës së Sigurisë të Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes.

Ai, gjithashtu i njoftoi diplomatët  norvegjezë edhe me sukseset e arritura të FSK-së, ngritjen profesionale, trajnimin, shkollimin, si dhe bashkëpunimin dhe partneritetin e ndërtuar me vendet anëtare të NATO-s, SHBA-të, Gardën Kombëtare të Ajovës, si dhe vendet e tjera rajonale dhe ndërkombëtare.

Kolonel Agron Bajrami i njoftoi mysafirët për Planin e Integritetit dhe kontributin e madh që ka dhënë Qeveria e Norvegjisë në këtë drejtim, si dhe foli edhe për sukseset e pjesëtarëve të FSK-së në shkollimet jashtë vendit, si në akademi të ndryshme ushtarake dhe trajnime dhe ushtrime të përgjithshme.

Diplomatët dhe oficerët-kadetë nga Norvegjia me interesim përcollën ligjëratën e kolonel Hotit, si dhe njoftimet e përgjithshme nga ana e kolonelit Agron Bajrami.

Diplomatët norvegjezë vizituan edhe Qendrën për Studime Universitare të FSK-së./OxygenPress.info