Diasporës së Shqipërisë i mohohet e drejta e votës në zgjedhjet e 25 prillit

0
84

Ka mbetur më pak se një muaj nga zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 25 prill në Shqipëri, qytetarët e këtij vendi që jetojnë jashtë shtetit nuk do të kenë mundësi ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, transmeton albinfo.ch.

Numri i shtetasve shqiptarëve jashtë vendit, sipas INSTAT, është rreth 1,64 milionë banorë. Kjo shifër është sa gati 57% e atyre që jetojnë brenda vendit, që sot janë rreth 2,87 milionë, sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

E drejta e tyre për të votuar për vendin e lindjes, nuk është në agjendën e këtyre zgjedhjeve.

Që në muajin janar të këtij viti, përfaqësuesit e opozitës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve refuzuan të kalojnë aktet nënligjore për votën e shtetasve jashtë vendit.

Qeveria aktuale, në krye me Edi Ramën, thonë se i gjithë faji është nga partitë opizitare që nuk e miratuan për të kaluar akti për votimin e diasporës.

Ata akuzojnë PD-në se qëllimisht ka bllokuar votën e Diasporës përmes përfaqësuesve të saj në KQZ, të cilët “patën paturpësinë të kishin si përgjigje heshtjen refuzuese”, thonë ata.