”Dhuna në familje dhe dhuna në baza gjinore: Thyeje heshtjen”

0
121

Në prag të Ditës së Gruas, UN Women në bashkpunim me Ambasadën e Francës në Kosovë, më 6 Mars mbajti konferencën ”Dhuna në familje dhe dhuna në baza gjinore: Thyeje heshtjen”.

Konferenca u mbajt në Biblotekën Kombëtare në Prishtine. Qëllimi i saj ishte të nënvizojë rëndësinë e thyerjes së heshtjes që rrethon dhunën në familje, ngritjen e raportimeve të rasteve të dhunës si dhe ngritjen e zërit të të mbijetuarve.

Pjesë e konferences ishte Ministrja e Drejtësise znj.Albulena Haxhiu e cila u zotua se do të punoj drejt eleminimit te dhunës ne familje gjate mandatit te saj. “Ne duhet të punojmë së bashku ta ndërrojme këtë mentalitet patriarkal i cili është duke e penguar zhvillimin e shoqërise sonë. Roli i organizatave të shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare ka qënë ndoshta edhe më i madh sesa ai i institucioneve shtetërore. Po të mos ishte puna e juaj e vazhdueshme ne sot nuk do të kishim raportime për dhunën në familje. Raportimet e rasteve të  dhunës në familje janë duke u rritur, sepse ato nuk po fshihen me brenda familjes por po raportohen”.

Përpos kësaj znj. Haxhiu e permendi se për herë të pare është ndarë një linjë buxhetore për strehimoret e mbijetuarve të dhunës.

Gjatë fjalimit të saj Kordinatorja për zhvillim e Kombeve të Bashkuara znj. Ulrika Richardson theksoi se “Përkundër ndryshimeve pozitive, ende nuk po shohim vajza në vende ku i shohim djemtë. Bota vazhdon të jetë e dominuar nga meshkujt, mirëpo gjenerata e barazisë mund të bëjë ndryshimin. Eshtë kjo gjeneratë e vajzave dhe djemve të rinjë që po kërkon këtë ndryshim.” 

Konferenca e sotme shënoi lansimin e fushatës botërore Gjenerata e Barazisë nga UN Women. Kjo fushatë ka për qëllim mobilizimin e aktivistëve nga gjeneratat e ndryshme rreth qëllimit të përbashket, arritjen e barazisë gjinore. Fushata udhëhiqet nga shteti i Francës dhe ai i Meksikës. Janë gjithsej gjashtë tema të kësaj fushate, ku e para është Luftimi i dhunës në baza gjinore.

Me këtë rast ambasadorja franceze znj. Marie- Christine Butel theksoi se: “Dhuna në familje është një nga format më të fshehta të dhunës. Të drejtat e grave nuk fitohen, është e nevojshme të jemi vigjilent dhe të mobilizuar që vazhdimisht të luftojmë për të drejtat e grave”. 

Si mysafire speciale e kësaj konference ishte edhe shkrimtarja franceze znj. Julie Dénès, e mbijetuar e dhunës në familje dhe aktiviste e të drejtave të njeriut. Ajo ndau me të pranishmit storjen e saj si e mbijetuar e dhunës në familje dhe theksoi se dita e 8 marsit duhet të jetë dita e barazizë, sepse gratë paraqesin gjysmën e njerëzimit dhe kjo botë po qahet çdo herë e më tepër nga pabarazitë.

 Konferenca u përmbyll me një panel, ku përfaqësues nga shoqëria civile si dhe institucionet ndanë përvojat e tyre rreth kësaj çështje.