Destinacion i ri për të apasionuarit e detit, atraksioni nënujor i Drimadhes

0
229

Një ish-anije ushtarake është mbytur në Dhërmi për t’u shndërruar në një atraksion turistik për të apasionuarit e botës nënujore.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, ka publikuar një video me pamje nga mbytja e ish-anijes ushtarake.

“Në kushtet e reja, domosdoshmëria është që me hapjen e turizmit detar shqiptar, të zgjerojmë format dhe tematikat e ofertës turistike, me qëllimin e një turizmi dinamik dhe konkurrues në rajon. Vetëm pak ditë pas hyrjes në fuqi të ligjit për aktivitetet detare, ligj i cili mundëson shfrytëzimin e hapësirës jo vetëm për peshkim por edhe për turizëm elitar dhe aktivitete ujore, krijojmë sot një destionacion të ri për të gjithë turistët dhe te apasionuarit e detit që duan të eksplorojnë fundin e detit dhe atraksionet nënujore”, theksoi Klosi.

Gjithashtu, shtoi Klosi, “ky destinacion nënujor do të jetë atraksion në zonën e Drimadhes dhe pjesë e hartës së aktiviteteve të turizmit detar, e cila miratohet në KKT”.

“Këto harta parashohin vendet e lejuara dhe vendet e ndaluara të ushtrimit të aktivitetit detar. Përbëhet nga 60 zona, ku secila prej tyre do të ketë pasaportën e detajuar për Zonat e Lundrimit, zhytjes, peshkimit nënujor, destinacionet nënujore apo aktiviteteve të tjera ujore. Miratimi i këtyre hartave, “celebrohet” me ndërtimin e destinacioneve nënujore të mjeteve lundruese të përdorura nga forcat detare të Ministrisë së Mbrojtjes, që kanë dalë tashmë nga përdorimi dhe do të zhyten në ujë për të krijuar një atraksion turistik”, shton Klosi.

Ai nënvizon se, “këto aktivitete do të jenë në përditësim të vijueshëm, duke patur pritshmërinë e një vlere të rritur ekonomike dhe ofertë e shtuar turistike për vendin. Në këto harta, planifikohen edhe zonat ku mund të vendosen stacionet sezonale të ankorimit dhe pontilet lundruese”.

“Miratimi i hartave të përgjithshme detare, i hap rrugë certifikimit të operatorëve të turizmit detar dhe prezantimit të ofertës turistike detare të vendit tonë. Për pothuaj 3 dekada, turizmi detar nuk ka patur asnjë lloj zhvillimi, duke e lënë bregdetin shqiptar një hallkë të munguar të zinxhirit të zonës së zhvilluar të Mesdheut”, tha ai.

“Ligji i Turizmit Blu, synon nxitjen dhe ngritjen e porteve dhe marinave shqiptare. Ky ligj që ofron avantazhet më të larta në rajon, të regjistrimit të mjeteve të lundrimit për argëtim në vendin tonë. Përpos kësaj, mbajtja e flamurit shqiptar nga mjete detare që lundrojnë në të gjithë botën, ofron një marketim të Shqipërisë si destinacion turistik”, shoti Klosi.

“Shndërrimi i bregdetit shqiptar, në destinacionin më të njohur dhe të zhvilluar të jahteve në rajon, është synimi dhe pritshmëria e ligjit për veprimtaritë detare, një aktivitet që sjell të ardhura të larta në industrinë turistike”, tha ai./ATSH