Deri në fundjavë përmirësim i motit me më shumë diell

0
67

Deri në fundjavë përmirësim i motit me më shumë diell. Orëve të mëngjesit mundësi për mjegull. Në fundjavë më ngrohtë, temperaturat maksimale edhe mbi 15C.
3.02.2021 – Shtrirja e fushave anticiklonike dhe masave më të ngrohta ajrore nga Afrika veriore mbi Mesdhe dhe rajonin tonë, në ditët e ardhshme favorizojnë mot më stabil, me kthjellime dhe intervale më të gjata me diell. Herë herë mund të ketë edhe vransira kalimtare, por në vendin tonë pa të reshura.

Me paraqitjen e inversioneve termike për shkak të kalimit të ajrit të ngrohtë mbi sipërfaqe më të ftohta tokësore, orëve të mëngjesit krijohen kushte për mjegull nëpër ultësira, mirëpo që orëve të pasdites pritet të zhduket.

E ditën e diel një ciklon nga Atlantiku parashihet të kaloj në veri të rajonit, që në vendin tonë sjell shtim të vransirave, e ditën e hënë më pas paraqiten kushte edhe për të reshura shiu, ku vende-vende mund të jenë pak më intensive.

Moti më stabil në ditët në vijim me më pak qarkullim ajror mund të rrisë koncentrimin e ndotësve ajror pranë sipërfaqes tokësore, dhe në pamundësi të shpërndarjes së ndotësve, indeksi i cilësisë së ajrit do të mbetet më gjatë në vlera të dobëta dhe shumë të dobëta. E në raste kur do të ketë erëra, kryesisht gjatë ditës, me shpërndarjen e ndotësve ajror indeksi do të përmirësohet dhe zbret në vlera mesatare dhe të mjaftueshme.

4.02 – Butë, kryesisht me diell, ditën edhe me vransira kalimtare. Në mëngjes përgjatë ultësirave mundësi për mjegull/mjegullinë.
5.02 – Butë, pjesërisht vranët, ditën edhe intervale me diell. Orëve të mëngjesit përgjatë ultësirave mjegull.
6.02 – Në mëngjes nëpër ultësira mjegull, e gjatë ditës më ngrohtë, kryesisht kthjellët dhe me diell.
7.02 – Mot i ngrohtë derisa vransirat do të shtohen, ditën edhe intervale me diell.
8.02 – Kryesisht vranët, e kohëpaskohe me reshje të dobëta shiu. Vende-vende reshjet mund të jenë më intensive.

Temperaturat minimale do të luhaten nga 2C deri në 5C, e maksimalet rriten ndjeshëm në fundjavë deri në 16C, nga Dukagjini edhe afër 20C, e nga dita e hënë në rënie të lehtë në 12C.
Era do të fryj e lehtë dhe mesatare drejtimesh të ndryshme, por kryesisht nga jugperëndimi 1-4m/s.
Shtypja atmosferike me tendencë të rritjes në dy ditët në vijim, e në fundjavë në rënie të thellë edhe nën vlera normale.