Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dorëzuan kallëzim penal në Prokurorinë Speciale

0
102

Nga Levizja Vetevendosje

Deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Labinotë Demi-Murtezi, Fitim Uka dhe Fitim Haziri, të shoqëruar nga këshilltari Getoar Mjeku, i dorëzuan Prokurorisë Speciale kallëzim penal ndaj dy zyrtarëve të lartë, Armend Zemaj dhe Valbon Krasniqi, përgjegjës për mungesën e oksigjenit mjekësor në spitalet e Kosovës. Kallëzimi përmbledh faktet e zbuluara nga hulumtimet e publikuara në media dhe nga puna e deputetëve për veprimet dhe mosveprimet e të dyshuarve në cilësitë e ministrit të Shëndetësisë përkatësisht drejtorit të përgjithshëm të ShSKUK-së.

Zemaj dhe Krasniqi dyshohen me arsye se kanë kryer vepra penale të keqpërdorimit të detyrës dhe të ushtrimit të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore-farmaceutike kur kanë dështuar të furnizojnë rregullisht spitalet tona me oksigjen mjekësor për trajtimin e pacientëve me COVID-19 dhe kur më pas kanë urdhëruar furnizimin me oksigjen nga kompani të palicencuara. Kallëzimi i tre deputetëve vë në dijeni prokurorinë për faktet kryesore, të cilat prokuroria duhet t’i hetojë në hollësi dhe t’i ndjekë sipas detyrës zyrtare.

Keqmenaxhimi i pandemisë po rrezikon jetët e qytetarëve. Lëvizja VETËVENDOSJE! mbetet e përkushtuar ndaj parandalimit dhe luftimit të pandemisë COVID-19, ashtu siç angazhohet për sundimin e ligjit dhe shtetin e së drejtës.