Del nga arkivi filmi dokumentar për Nënë Terezën i realizuar 40 vite më parë

0
92

Në institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup ishte për vizitë drejtori i institucionit kulturor “Vardar Film”, Naser Curri, i cili u prit nga drejtori i Institutit, Skender Asani.

Ky takim u realizua në kuadër të manifestimeve për shënimin e 40-vjetorit të shpalljes së Nënës Terezë për ‘Qytetare Nderi të Shkupit’. Me këtë rast drejtori Curri ia dhuroi ITSHKSH-së, përkatësisht Departamentit për Trashëgiminë e Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë një film dokumentar të realizuar para 40 vjetëve, që deri tash ka fjetur në arkivin e IN “Vardar Film”.

Duke e falënderuar për këtë dhuratë, drejtori Skender Asani tha: “Në këtë mënyrë Instituti po e mbledh trashëgiminë e Gonxhe Bojaxhiut dhe ngadalë po i tubon të gjitha elementet më të rëndësishme të jetës së Nënës Terezë në Shkup, për ta plotësuar mozaikun e fragmentuar të jetës së kësaj nobeliste që është nder për kombin tonë, për qytetin tonë, për shtetin tonë, por edhe për gjithë botën”.

Pas kësaj në sallën “W Wilson” të ITSHKSH-së nga të pranishmit u ndoq video-materiali i këtij dokumentari.

Gjithë kjo vjen si fryt i bashkëpunimit të mirë që ITSHKSH ka ngritur me IN “Vardar Film” dhe memorandumit për bashkëpunim që është nënshkruar qysh më herët ndërmjet dy institucioneve.