Deklarimi për medie i Kryeministrit Hoti pas takimit të parë formal të forumit të liderëve të partive politike

0
44

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, gjatë ditës së sotme ka mbajtur takimin e parë formal të forumit të liderëve të partive politike, me të cilët ka diskutuar rreth platformës së Qeverisë së Kosovës për procesin e dialogut dhe për qasjen e qeverisë në këtë proces.

“Gjatë këtyre dy javëve kemi pasur takime intensive me ambasadorët e QUINT-it, me komunitetin akademik në Akademinë e Shkencave, me shoqërinë civile, tash me forumin e liderëve të partive politike, ne e kemi kompletuar atë mozaikun e nevojshëm të krijimit të konsensusit shoqëror dhe shtetëror në Republikën e Kosovës për procesin e dialogut”, tha kryeministri Hoti pas takimit.

Deklarimi i plotë i Kryeministrit Avdullah Hoti pas takimit të parë formal të forumit të liderëve të partive politike:

Faleminderit për prezencën dhe interesimin tuaj!

Sapo e kryem takimin e parë formal të forumit të liderëve të partive politike në bazë të platformës të cilën e kemi prezantuar publikisht si Qeveri që tregon qasjen tonë për procesin e dialogut.

Unë i falënderoj liderët e partive politike që sot ishin në këtë takim. Të gjithë pa përjashtim i dhanë mbështetje qasjes që kemi si Qeveri, parimeve që kemi vendosur për procesin e dialogut dhe transparencën që do të sigurojmë gjatë gjithë kohës në këtë proces.

Jam i inkurajuar me këtë mbështetje dhe tash me gjithë ekipin që do ta funksionalizojmë së shpejti në kuadër të këshillit të ekspertëve për dialog brenda zyrës time të mbështetur edhe nga disa partnerë ndërkombëtarë, ne jemi gati që të ulemi në tavolinë të dialogut për një qëllim të vetëm për marrëveshje përfundimtare që nënkupton njohjen reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve në mes të dy vendeve tona.

Kemi marrë vendime të rëndësishme gjatë këtyre dy javëve për të vendosur pozicionin e shtetit të Kosovës në një pozitë shumë më të favorshme karshi procesit të dialogut dhe tash ne shkojmë besimplotë në këtë proces në takimet e ardhshme që tanimë dihet që do të ndodhin.

Gjatë këtyre dy javëve kemi pasur takime intensive me ambasadorët e QUINT-it, me komunitetin akademik në Akademinë e Shkencave, me shoqërinë civile, tash me forumin e liderëve të partive politike, ne e kemi kompletuar atë mozaikun e nevojshëm të krijimit të konsensusit shoqëror dhe shtetëror në Republikën e Kosovës për procesin e dialogut.

Unë së shpejti do të raportoj edhe në Kuvendin e Kosovës për platformën tonë, është një mundësi e mirë që tanimë është vendosur një datë për këtë, besoj të martën e ardhshme në seancën e radhës unë do të raportoj për këtë çështje, do të prezantoj platformën tonë dhe do të kërkoj formalisht në Kuvend themelimin e Komisionit Parlamentar për dialog, për të mbikëqyr procesin e dialogut.

Edhe nga kjo paraqitje unë ftoj partitë opozitare që të marrin rolin e tyre mbikëqyrës në procesin e dialogut përmes forumit të liderëve të partive politike dhe pastaj në Kuvend përmes Komisionit Parlamentar për dialog.

Dje, unë kam dërguar ftesa të gjithë liderëve të partive politike, unë do t’ju qasem atyre edhe në ditët e ardhshme kudo që ata e shohin të nevojshme që të takohemi në zyrën time, në Kuvend apo në zyrat e tyre të partive politike për t’i informuar ata për qasjen që ka Qeveria e Kosovës karshi dialogut dhe për të marrë sugjerimet dhe vërejtjet e tyre për këtë proces. Unë ju siguroj që me këtë transparencë të plotë të procesit ne do t’i dalim ballë.

Kryeministri Hoti më pas ju përgjigj edhe pyetjeve të gazetarëve.

Pyetje: PDK e ka vlerësuar si ftesë jozerioze ftesën e djeshme që ju keni bërë.
Pyetje: Ju po thoni gjithashtu që ka qenë takim i suksesshëm kurse këtu munguan dy partitë më të mëdha opozitare?

Kryeministri Hoti u përgjigj: Ftesa ka qenë si kryeministër i vendit, në bazë të mandatit tim kushtetues për të udhëhequr procesin e dialogut që të konsultohem me kryetarët e partive politike parlamentare. Unë do t’ju çoj ftesat atyre në formatin që ata dëshirojnë, në vendin ku ata dëshirojnë, në kohën që ata dëshirojnë për të na dëgjuar dhe për t’i dëgjuar edhe ne ata.

Pyetje: Dje në kryesi u vendos për të ftuar për raportim në Kuvend para takimit të Uashingtonit. A do t’i përgjigjeni?

Kryeministri Hoti u përgjigj: Do ta bëj me kënaqësi. Ka qenë edhe kërkesë e imja dhe mirë që është vendos tanimë në Kuvend.

Pyetje: A ishte e pranishme Lista Serbe dhe cili ishte qëndrimi i tyre karshi dialogut.

Kryeministri Hoti u përgjigj Në këtë takim sot nuk ishte, po unë i kam pasur takimet individuale me të gjithë liderët e partive politike parlamentare për platformën dhe ata e mbështesin qasjen që e kemi në dialog.

Pyetje: Keni paralajmëruar sot një takim edhe me Miroslav Lajçak. Kur do ta zhvilloni këtë takim dhe pse do të bëhet një takim i tillë?

Kryeministri Hoti u përgjigj: Kam pasur në mëngjes një takim pune me z. Lajçak dhe me ekipin e tij, ku i kemi definuar plot çështje të agjendës që na pret në të ardhmen. Besoj që edhe ai vet pasdite në një konferencë për media, nëse nuk e ka mbajtur ende do t’i bëj të njohura. Sot pasdite, unë do t’i takoj të gjithë ambasadorët e BE-së për t’i informuar për platformën.

Pyetje: A është marrë vesh se çka do të bisedohet në Uashington sepse dje thatë që s’keni ndonjë agjendë ende?

Kryeministri Hoti u përgjigj: Agjenda e Uashingtonit besoj që do të bëhet e qartë përpara se të shkojmë atje. Pritjet janë shumë pozitive. Ne shkojmë për të filluar procesin e dialogut që çon në njohje reciproke kjo është e rëndësishme.

Pyetje: Si do të përfaqësohet Kosova atje, cili është ekipi, a keni vendosur?

Kryeministri Hoti u përgjigj: Ta keni të qartë të gjithë në procesin e dialogut Kosova përfaqësohet nga Kryeministri i vendit dhe nga pjesa e delegacionit që unë e vlerësoj të rëndësishme dhe të nevojshme për të çuar përpara këtë proces. Në emër të Republikës së Kosovës për procesin e dialogut flas unë, sepse kompetencat kushtetuese janë të qarta.