Dëgjohet një dëshmitar në gjykimin ndaj policit të akuzuar për përvetësim të 2000 eurove

0
83

Në Departamentin për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka vazhduar gjykimi ndaj policit Shkumbim Jashari, i akuzuar për veprën penale “Përvetësim të kundërligjshëm të pasurisë gjatë bastisjes apo ekzekutimit të vendimeve gjyqësore” dhe “Armëmbajtje pa leje”, raporton Drejtësia Sot.

Jashari akuzohet se si zyrtar policor, gjatë bastisjes së kazinos“Las Vegas 2”, në mënyrë të kundërligjshme ka shfrytëzuar momentin dhe nga banaku i lokalit ka marrë një kuletë me para në shumë prej 2000 eurove.

Në seancën e sotme gjyqësore të udhëhequr nga gjyqtari Isuf Makolli dha dëshminë e tij dëshmitari B.H., njiherit shefi i divizionit për hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit pranë IPK-së.

Dëshmitari B.H., duke iu përgjigjur pyetjeve të palëve në procedurë theksoi se për rastin e përvetësimit të këtyre parave në kazinon Las Vegas 2, e kishte vërejtur në bazë të cd-ve marrjen e kësaj kulete nga polici Shkumbim Jashari. Dëshmitari tutje tha se duke shikuar këto CD, e kishte parë të akuzuarin në fjalë duke bërë lëvizje të dyshimta rreth banakut të këtij lokali si dhe sipas tij i njëjti është vërejtur kur kuletën me para e kishte futur brenda jakës së tij.

Ai më tutje theksoi që pasi i kishin parë inçizimet ia kishin dërguar më pas prokurorit fillestar për të ndërrmarë veprimet e duhura ligjore. Ky dëshmitar ndër të tjera tregoi se edhe në momentin sa ishte i akuzuari duke u intervistuar në IPK për këtë rast, e kishte dëgjuar atë duke iu thënë hetusëve që nuk ka qenë shuma e parave prej 2000 euro në pyetje por dikund rreth 200 ose 300 euro.

Kur u pyet nga mbrojtësi i të akuzuarit Jashari, avokati Asdren Hoxha se a keni mbajtur procesverbal apo shënim lidhur me këtë deklaratë të të akuzuarit, i njëjti u përgjigj se nuk është evidentuar në ndonjë shkresë kjo fjalë e tij pasiqë i akuzuari atë e ka thënë jashtë procesverbalit.

Ky dëshmitar në fund tha se i qëndron në tërësi kallzimit penal të nënshkruar nga ai si mbikqyrës i këtij divizioni.

Më tutje në këtë seancë i ftuar për të dhënë dëshminë e tij ishte edhe personi me iniciale Q.V., por Prokurori Ibrahim Berisha vendosi të hekë dorë nga dëgjimi tij dhe si rrjedhojë gjykimi u ndërpre për tu caktuar më datë 29 dhjetor 2020 ora 13 e 15 minuta.

Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë përfaqësuar nga ProkuroriIbrahim Berisha, thuhet se Shkumbim Jashari akuzohet se më datë 29.03.2019, në cilësinë e personit zyrtar – Polic ka bërë kontrollin dhe bastisjen e lokalit – biznesit “Las Vegas 2”. I pandehuri gjatë kontrollimit të lokalit ka shfrytëzuar momentin dhe nga banaku i lokalit ka marrë kuletën me para. Me këtë kuletë ishte i ngarkuar punëtori i kazinos, tani i dëmtuari A.Q, të cilit i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 2000 euro.

Gjithnjë sipas aktakuzës me datë 04.04.2019 të pandehurit i është gjetur dhe sekuestruar një pushkë ajrore e tipit “Diana” si dhe 17 copë fishek të llojeve të ndryshme, një palë pranga dhe një karikator të cilat i mbante pa autorizim në punëtorinë e tij e cila gjendet në Fushë Kosovë.