Dëgjohen katër dëshmitarë në gjykimin e serbit Nenad Arsiq, i akuzuar për krime lufte në Prishtinë

0
75

Në gjykimin e të akuzuarit për krime lufte, Nenad Arsiq, të mbajtur të premtën, pranë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, janë dëgjuar katër dëshmitar të propozuar nga PRSK-ja, raporton Drejtësia Sot.

Dëshmitari i parë V. H., tregoi se gjatë periudhës së bombardimeve të NATO-s, kishte qëndruar në Maqedoni. Ndërsa në momentin që ishte kthyer në shtëpinë e tij në lagjen Emshir të Prishtinës, nuk e kishte gjetur veturën e tipit Yugo, të cilin e kishte lënë paraprakisht tek një fqinjë.

Gjykimi vazhdoi me dëshmitarin B. Sh., i cili gjatë dhënies së dëshmisë së tij, tha se më datën 21 maj 1999 rreth orës 16:00, disa polic serb i kishin hyrë në oborr dhe të njejtëve ju kishin kërkuar që të largoheshin nga shtëpia e tyre.

Sipas dëshmitarit B. Sh., pasi janë larguar policia nga oborri i tyre, i njejti ishte shkuar tek shtëpia e tani të dëmtuarve S. dhe J. Sh, për të parë gjendjen e tyre, meqense kishte dëgjuar britma dhe sharje.

Ndërsa dëshmitarët R. B., dhe A. H, treguan se në majin e vitit 1999, në lagjen e tyre Emshir, kishte hyre policia serbe dhe kishte shkaktuar dëme materiale, po ashtu kishte plaqkitur dhe shkatërruar shtëpitë.

Në fund të seancës, gjyqtarja Albina Rama- Shabani, njoftoi se më 1 tetor 2020, në lidhje me këtë çështje penale do të dëgjohen dëshmitarët e propozuar nga mbrojtësi i të pandehurit Arsiq, avokati Dejan Vasiq.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të përfaqësuar nga prokurorja Drita Hajdari, i pandehuri Nenad Arsiq gjatë kohës së luftës në Kosovë, si pjesëtar i forcave policore të njësisë rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, ka shkelur rëndë rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare kundër personave dhe pasurisë që janë të mbrojtura me dispozitat përkatëse në Konventat e Gjenevës të 12 gushtit 1949.

Në aktakuzë thuhet se me datë 21.05.1999, në lagjen “Emshir” në Prishtinë, i pandehuri Nenad Arsiq në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore serbe, deri më tani të paidentifikuar, ka marrë pjesë në aksionin kundër popullatës civile të nacionalitetit shqiptarë, me ç ‘rast në mënyrë çnjerëzore i kanë torturuar të dëmtuarit J.Sh., dhe S.Sh., duke i rrahur për një kohë të gjatë me mjete të forta në pjesë të ndryshme të trupit, duke iu shkaktuar vuajtje të mëdha dhe dëmtime të rënda trupore, nga pasojat e të cilëve ata vuajnë edhe sot.

Gjithnjë sipas aktakuzës së prokurorisë, në të njëjtën ditë, i pandehuri Nenad Arsiq në bashkëkryerje me persona të tjerë, kishte gjetur dhe përvetësuar nga të dëmtuarit shumë të madhe të parave, disa vetura dhe gjësende të tjera me vlerë.

Me këto veprime i pandehuri Nenad Arsiq, në bashkëkryerje ka kryer vepër penale Krimet e luftës kundër popullsisë civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, e penalizuar si Krimet e luftës në shkelje të rëndë të Konventave të Gjenevës nga neni 144 paragrafi 2 nënparagrafi 2.4 lidhur me paragrafin 1 nënparagrafi 1.1. lidhur me nenin 31 të Kodit penal të Republikës së Kosovës.