Debatet për masakrën e Reçakut, reagon Ambasada e SHBA: E papranueshme retorika nxitëse dhe rishikimi i historisë

0
111

Ambasada e SHBA në Prishtinë ka reaguar pas deklarimeve të kreut të shtetit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili ka përkrahur ish-ministrin serb Ivan Todosijeviq, rreth pretendimeve të tij masakra e Reçakut ka qenë një ‘trillim’, deklarata këto që nxitën debate e reagime të ashpra në Kosovë.

Në reagimin e Ambasadës amerikane thuhet se ‘retorika nxitëse dhe rishikimi i historisë të së cilës jemi dëshmitarë kohëve të fundit lidhur me ngjarjet e vitit 1999 janë të papranueshme’.

‘Gjithashtu, jeni të kujdesshëm në ndjekjen penale selektive të fjalës duke u bazuar në orientimin politik apo komunitetit’, thuhet në deklaratën e ambasadës amerikane.

“Liria e shprehjes ka qenë prej kohësh parimi themelor i demokracisë. Ngjarjet e kësaj jave paraqesin edhe një rikujtim se sa i rëndësishëm është kthimi i Kosovës dhe Serbisë në tryezën e bisedimeve dhe të ripërqëndrojnë energjitë e tyre drejt së ardhmes duke normalizuar marrëdhëniet”, thuhet në reagim.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka quajtur të tmerrshëm faktin që ish-ministri i Qeverisë së Kosovës, Ivan Todosijeviq u dënua me dy vjet burg për shkak se tha se masakra në Reçak ishte e trilluar.