DASH: Në Kosovë zyrtarët e korruptuar nuk ndëshkohen

0
66

Departamenti amerikan i Shtetit publikoi të mërkurën raportin për të drejtat e njeriut në botë në vitin 2019.

Në pjesën për Kosovën, ky raport nxjerr si çështje kryesore: kufizimet të tepruara ndaj mediave, përfshirë dhunën ose kërcënimet ndaj gazetarëve; korrupsioni i qeverisë dhe mosndëshkimi i tij; si dhe sulmet kundër anëtarëve të pakicave etnike ose komuniteteve të tjera të margjinalizuara.

“Shumë persona në qeveri, opozita, shoqëria civile dhe mediat raportuan raste të zyrtarëve të lartë të përfshirë në korrupsion që vazhdonin veprimtarinë dhe mbesin të pandëshkuar. Qeveria dhe sektori i drejtësisë ndonjëherë ndërmorën masa për të ndjekur penalisht dhe ndëshkuar ata zyrtarë që kryenin abuzime, vepra penale dhe krime të së kaluarës, por shumë nga ata vazhduan të ushtronin pozicione në sektorin publik”, thuhet në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit.

Raporti thotë se qeveria nuk arriti të zbatojë në mënyrë efektive ligjin që parashikon dënime penale për zyrtarët e korruptuar, shkruan REL.

“Zyrtarët nganjëherë përfshihen në praktika korruptive dhe mbesin të pandëshkuar. Mungesa e një mbikëqyrjeje efektive gjyqësore dhe sundimin e ligjit në përgjithësi i dobët, kontribuuan në këtë problem”, thuhet në raport.

Sa i përket sektorit të gjyqësorit, raporti thekson se “Kushtetuta parashikon një gjyqësor të pavarur, por gjyqësori jo gjithmonë siguroi një proces të duhur”.

DASH thekson se “sipas Komisionit Evropian, organizatave joqeveritare dhe institucionit të Avokatit të Popullit, administrimi i drejtësisë ishte i ngadaltë dhe nuk kishte mjete për të siguruar përgjegjësinë e zyrtarëve gjyqësorë”.

“Strukturat gjyqësore i nënshtroheshin ndërhyrjeve politike, me emërime të diskutueshme dhe mandate të paqarta”, theksohet në raport.

Më tutje në raport thuhet se “autoritetet ndonjëherë dështuan të zbatojnë urdhrat e gjykatës, përfshirë edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, veçanërisht kur vendimet favorizuan pakicat, si në shumë raste të kthimit të pronave nga serbët e Kosovës”.

Këtu merret si shembull vendimi i autoriteteve lokale të Komunës së Deçanit, të cilat refuzuan zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016, që konfirmon pronësinë e Kishës Ortodokse Serbe mbi më shumë se 24 hektarë tokë ngjitur me Manastirin e Deçanit.

“Asnjë nga zyrtarët e përfshirë në moszbatimin e urdhrit gjyqësor nuk është sanksionuar”, thekson raporti.

Sa i përket respektimit të të drejtave qytetare, raporti thekson se përderisa qeveria në përgjithësi e respektonte lirinë e shprehjes dhe të shtypit, raportet e besueshme insistuan se disa zyrtarë publikë, politikanë, biznese dhe grupe fetare radikale përpiqeshin t’i frikësonin përfaqësuesit e mediave.

“Mediat gjithashtu hasën në vështirësi në marrjen e informacionit nga qeveria dhe institucionet publike, siç parashikohet me ligj”, thuhet në raport.

Në pjesën e raportit që flet për liritë e pjesëmarrjes në procese politike, Departamenti amerikan i Shtetit, potencon se “Qeveria serbe ka vazhduar të operojë me disa struktura paralele të paligjshme qeveritare në komunat me shumicë serbe dhe në zonat e banuara kryesisht nga komuniteti kosovar-goran”.

“Besohet se këto struktura shpesh përdoren nga Qeveria serbe për të ndikuar në komunitetet serbe dhe përfaqësuesit politikë”, thuhet në raport.

“Qeveria serbe vazhdoi të operojë disa struktura paralele të paligjshme qeveritare në komunat me shumicë serbe dhe në zonat e banuara kryesisht nga komuniteti kosovar-goran”, thuhet në raport.

Shembuj të kësaj përmenden pretendimet e disa pjesëtarëve të komunitetit serb për hakmarrje nga kundërshtarët politikë.

“Përpara zgjedhjeve të vendit më 6 tetor, disa serbë të Kosovës raportuan se ishin nën presion për të mos mbështetur partitë tjera, përveç Listës Serbe, parti kjo e lidhur ngushtë me Qeverinë serbe”, thekson Departamenti amerikan i Shtetit.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, gjatë prezantimit të raportit, theksoi se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara të përdorin zërin dhe pozicionin e saj në skenën botërore për të tërhequr vëmendjen ndaj shkeljeve dhe abuzimeve të të drejtave të njeriut dhe për të promovuar përgjegjshmëri për shkelësit dhe abuzuesit e të drejtave të njeriut.

“Përvoja mëson se zyrtarët qeveritarë që shtypin, abuzojnë dhe tolerojnë mohimin e të drejtave të njeriut janë gjithashtu përgjegjës për krijimin e mjediseve sociale që janë të pjekura si për krizat ekonomike ashtu edhe ato humanitare, dhe që inkurajojnë korrupsionin, konfliktin e dhunshëm dhe terrorizmin”, tha sekretari Pompeo.