Dardanët rikthehen në stërvitje, Berisha e Hasani presin lojë më të mirë kundër Malit të Zi

0
69

Kombëtarja e Kosovës iu ka rikthyer përgatitjeve për ndeshjen kualifikuese për Euro 2020 kundër Malit të Zi, që zhvillohet të hënën në stadiumin “Fadil Vokrri”. Vetëm 24 orë pas miqësores kundër Gjibraltarit, përzgjedhësi Bernard Challandes ka zbritur në fushën e gjelbër me 18 lojtarë, derisa ka lënë të lirë 5 futbollistë: Samir Ujkanin, Florent Hadërgjonajn, Anel Rashkajn, Atdhe Nuhiun dhe Ibrahim Dresheviq, të cilët luajtën gjatë tërë 90 minutave në miqësoren e djeshme, derisa Lirim Kastrati dhe Arbenit Xhemajli janë ribashkuar me Kombëtaren U21.

Në stërvitjen e sotme me intensitet të plotë kanë stërvitur edhe Milot Rashica, Herolind Shala dhe Vedat Muriqi, të cilët në ditët e para të grumbullimit kanë stërvitur të diferencuar. Ndërkohë, nga afër stërvitjen e kanë ndjekur presidenti Agim Ademi, nënkryetari Bakir Burri dhe sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu.

Ndërkohë, pas stërvitjes në konferencë për media janë paraqitur Valon Berisha dhe Florent Hasani. Ky i fundit, i cili realizoi gol në miqësoren e djeshme është shprehur i gatshëm për të dhënë kontributin e tij sa herë që këtë ia kërkon trajneri.

“Çdo lojtar është i gatshëm për hapësirën që jepet ose prej fillimit ose në pjesën e dytë, ose pesë minuta në fund. Edhe unë jam i gatshëm për të dhënë maksimumin për të ndihmuar ekipin. Malazezët do të vijnë të na shkaktojnë probleme neve dhe të marrin tri pikë apo rezultat pozitiv që mos të mbesin në fund në grup. Por, ne, do të jemi të gatshëm që nga minuta e parë. Jemi duke u përgatitur mirë. Ekipi është i gatshëm dhe do të luajmë vetëm për fitore. Është një finale e radhës për ne. Normalisht konkurrenca po rritet, po kemi lojtarë të rinj, lojtarë që po kthehen nga lëndimet dhe kjo është e mirë për ekipin. Konkurrenca e bënë të vetën, aq më tepër kur është e shëndoshë si te ne”, ka theksuar Hasani.

Ndërkaq, Valon Berisha ka thënë se përballja me Malin e Zi është njëra prej ndeshjeve më të rëndësishme deri më tash. “Është test shumë i madh, do të jetë vështirë. Mali i Zi është ekip i fortë. Por jemi në shtëpi, kemi tifozët me vete, kemi mbështetjen dhe do duhet të shkojmë për fitore. Është si një finale për ne. Duhet ta shikojmë si finale, ta fitojmë këtë e më pas na pret edhe një finale, por tani duhet të koncentrohemi te kjo ndeshje. Në ndeshjen e parë kam qenë i lënduar dhe nuk e di shumë mirë si ka shkuar ndeshja. Do të jetë ndeshje e vështirë, shumë fizike. Duhet të përgatitemi mirë në këto ditë që na kanë mbetur. Do të shkojmë për fitore por e di që do të jetë vështirë. Ata nuk kanë çka të humbin dhe vijnë këtu për të bërë lojë të mirë. Për këtë do të jetë vështirë dhe duhet të jemi të përgatitur. Nëse mendojmë që do të jetë lehtë, do të jetë gabim shumë i madh. Miloti e Vedati janë lojtarë kyç dhe janë në formë shumë të mirë dhe janë shumë të rëndësishëm për ne. Besoj se ndaj Malit të Zi do të kemi hapësirë më të madhe se ndaj Gjibraltarit”, është shprehur Berisha.