Dardanët pësojnë humbje në Çeki, ëndrra për kualifikim vazhdon tek Liga e Kombeve

0
115

Kombëtarja e Kosovës ka pësuar humbje në “Doosan Arena” në përballje me rivalin direkt për kualifikim në Euro 2020, Çekinë, me rezultat 2:1.

Në një ndeshje mjaft të luftuar, Dardanët, edhe pse kaluan të parët në epërsi, në fund nuk arritën t’i bëjnë ballë presionit të madh të çekëve. Në fakt, këta të fundit u treguan shumë më të rrezikshëm në fazën sulmuese dhe përveç dy golave të shënuar qëlluan edhe dy herë shtyllën e portës së Aro Muriçit.

Në 30 minutat e para presioni i çekëve ishte i jashtëzakonshëm, por pritjet e Muriçit nuk lejuan që të tundet rrjeta e tanëve.

Në 15 minutat e fundit të kësaj pjesëloje Dardanët luajtën më mirë dhe patën edhe një mundësi shënimi. Pjesa e dytë nisi shkëlqyeshëm për kombëtaren tonë, e cila kaloi në epërsi vetëm pas pesë minutash, me golin e shënuar nga Atdhe Nuhiu me gjuajtje me kokë.

Mirëpo, gëzimi i Dardanëve zgjati vetëm deri në minutën e 71-të, kur Aleks Kral shënoi me një gjuajtje të fortë nga distanca për 1:1. Paraprakisht portën e Muriçit e shpëtoi dy herë tërthorësja. Ndërkohë, vetëm 8 minuta më vonë çekët shënuan edhe golin e fitores dhe të kualifikimit në Euro 2020, ku sërish shënoi Aleks Kral. Me gjithë humbjen e pësuar në këtë takim Dardanët tanë në këto kualifikime kanë lënë mbresa jo vetëm në opinionin e Kosovës, por edhe në mbarë opinionin botëror.

Duhet përmendur se ndeshjen e fundit Kosova në këto kualifikime e zhvillon të dielën kundër Anglisë, derisa ëndrra për kualifikim në Euro 2020 tani mbetet tek “play-off”-i i Ligës së Kombeve në muajin mars.