Dardanet i fillojnë përgatitjet me optimizëm për sfidën kundër ruseve

0
57

Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave i ka nisur përgatitjet për ndeshjen kundër Rusisë, që zhvillohet të premten në orën 18:00 në Wiesbaden të Gjemanisë.

Dardanet nën drejtimin e përzgjedhëses Afërdita Fazlija dhe asistentëve të saj Veton Çitaku, Sanije Krasniqi e Besart Ismajli kanë kryer sot paradite stërvitjen e parë në Wiesbaden. Intensiteti dhe ngarkesa e kësaj stërvitje ishte më e vogël, duke pasur parasysh se lojtaret vinin nga udhëtimi i një dite më parë. Gjithsesi, forma e lojtareve duket e mirë dhe entuziazmi për të treguar më të mirën e tyre në këtë sfidë të vështirë është i madh. Nga afër stërvitjen e ka ndjekur edhe anëtarja e KE të FFK-së, Vjollca Krasniqi. Dardanet do të vazhdojnë me stërvitje edhe në mbrëmje, teksa nesër do të jetë stërvitja finale, ku përzgjedhësja Fazlija do të vendosë për 11-shen e lojtareve me formën më të mirë me të cilat do t’i vihet përballë ruseve.

Deklaruan pas stërvitjes:
Valentina Limani: Mendoj që do të jetë një lojë shumë e vështirë, ngase të dyja ekipet synojmë fitoren. Nuk e njohim shumë kundërshtarin, por në bazë të asaj çfarë kemi parë shihet që kanë cilësi. Sidoqoftë, vajzat tona janë të motivuara dhe kjo u vërejt edhe në stërvitjen e sotme ku atmosfera është shumë e mirë. Në dy stërvitjet e ardhshme do të punojmë për t’u koordinuar sa më mirë dhe sigurisht se të premten do të angazhohemi maksimalisht dhe do ta japim më të mirën tonë.

 

Edona Kryeziu: Stërvitja e parë ka kaluar shumë mirë. Atmosfera brenda grupit është si gjithmonë në nivelin e duhur dhe po punojmë me përkushtim maksimal. Ne i njohim cilësitë e kundërshtarit, por asnjëherë nuk do ta respektojmë më shumë sesa duhet. Jemi shumë të motivuara dhe do ta japim maksimumin që të marrim pikë nga ky takim. Pres që në këtë përballje të vështirë me ruset ta kemi edhe përkrahjen e tifozëve, ngase dihet se numri i bashkatdhetarëve tanë në Gjermani është i madh.