Dardanët e rinj përgatitet me përkushtim, optimistë për fitore kundër Shqipërisë

0
58

Kombëtarja U21 ka zhvilluar sot seancën e tretë stërvitore në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen kualifikuese kundër Shqipërisë, e cila do të zhvillohet në Elbasan, më 15 tetor. Dardanët e rinj nën udhëheqjen e përzgjedhësit Rafet Prekazi dhe ndihmësve të tij, Erdogan Celina e Naser Prapashtica, kanë stërvitur me intensitet të plotë në stadiumin e Feronikelit. Atmosfera brenda ekipit është e shkëlqyeshme dhe të gjithë futbollistët janë në formë të mirë dhe po punojnë me përkushtim të madh, derisa kontingjentit të futbollistëve iu kanë bashkuar edhe Lirim Kastrati dhe Arbenit Xhemajli, të cilët dje luajtën me Kombëtaren A në miqësoren kundër Gjibraltarit, por që në stërvitjen e sotme janë lënë të lirë për të pushuar. Gjatë stërvitjes së sotme është punuar në të gjitha aspektet e lojës, derisa janë provuar edhe skema të ndryshme të lojës. Pas stërvitjes Dardanët e rinj e shprehën optimizmin e tyre për këtë duelin me Shqipërinë, derisa e vlerësuan këtë si ndeshje më të veçantë për shkakun se përballen me vëllezërit e tyre.

Eris Abedini: Është një ndeshje ndryshe nga të tjerat, ngase në fushë të gjithë do të jemi vëllezër të një kombi. Mirëpo, kur të zbresim në fushë kjo nuk na intereson, pasi e kemi një objektiv para vetës për ta fituar ndeshjen dhe për ta vazhduar ëndrrën e kualifikimit në Evropian. Sigurisht se do të jetë ndeshje e vështirë dhe Shqipëria do të japë maksimumin, por ne synojmë ta bëjmë lojën tonë dhe shpresoj që gjithçka të shkojë siç duhet. Mendoj se pika jonë e fortë është fakti që luajmë me zemër, kemi cilësi dhe e lëmë shpirtin në fushë për 90 minuta.

Mirlind Daku: Duke pasur parasysh se jemi dy kombëtare shqiptare normalisht se do të jetë ndeshje emocionale për të dyja palët. Sigurisht se do të jetë ndeshje shumë e fortë, por besoj se do të ketë korrektësi maksimale. Ne duhet të hyjmë si në çdo ndeshje tjetër me motiv të plotë për të fituar. Prioritet për është arkëtimi i tre pikëve të reja në mënyrë që ta ndjekim ëndrrën e kualifikimit. Ka lojtarë që i njoh te Shqipëria, por i besoj shumë këtij grupi të futbollistëve dhe jam i bindur se do të arrijmë fitore.

Kreshnik Hajrizi: Përgatitjet po shkojnë shumë mirë. Që tri ditë jemi duke stërvitur së bashku dhe përkushtimi i të gjithë lojtarëve është për lakmi. Sot na janë bashkuar edhe Lirimi dhe Arbeniti, që sigurisht se rrisin edhe më shumë cilësinë në ekipin tonë. Ambienti në ekip është shumë pozitiv dhe pres fitore të sigurt kundër Shqipërisë. Normalisht se nuk e nënçmojmë aspak rivalin, por neve na duhet patjetër fitorja për të ecur tutje me gjasa për kualifikim. Normalisht se futbollistët e Shqipërisë i konsiderojmë vëllezër, por në fushë e njohim vetëm objektivin tonë – fitoren.

Qëndrim Kamberaj: Për mua ky është grumbullimi i parë dhe jam pritur shumë mirë nga bashkëlojtarët. Ndihem shumë i lumtur që jam pjesë e Kosovës, këtu ekziston një harmoni shumë e mirë brenda ekipit, ku disa prej lojtarëve i kam njohur edhe më parë, pasi luajmë së bashku në Zvicër. Shpresoj që gjatë kësaj periudhe t’i tregoj vlerat e mia dhe të më jepet mundësia edhe për lojë, por me rëndësi është që ekipi të luajë mirë dhe t’i marrë tri pikët kundër Shqipërisë.