Covax zbulon vendet e para që do të marrin vaksinën

0
152

Covax, e destinuar për të siguruar vaksina kundër COVID-19, në veçanti për vendet e paprivilegjuara, publikoi listën e përfituesve të parë dhe sasinë e vaksinave që ata do të marrin gjatë gjysmës së parë të 2021.

“Vaksina do të shpërndahet në proporcion me numrin e popullsisë për 145 vende në listë”, theksoi Ann Lindstrand, specialiste e imunizimit të OBSH-së, në një konferencë shtypi.

Sipas listës, vendet që do të marrin më shumë doza gjatë këtij gjashtëmujori janë: India, Nigeria, Pakistani, Indonezia, Brazili dhe Bangladeshi.

Në total, dozat, rreth 337,2 milionë do të mbulojnë 3,3% të popullsisë së këtyre 145 vendeve. Bëhet fjalë për të vaksinuar më të ndjeshmit dhe veçanërisht personelin shëndetësor.

Të udhëhequr nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Aleanca e Vaksinave (Gavi), Covax synon të sigurojë doza për 20% të popullsisë së kombeve pjesëmarrëse deri në fund të vitit 2021.

Ai përfshin një mekanizëm financimi për vendet në disavantazh.

Sipas dokumentit të publikuar dje, Covax aktualisht pret që 1,2 milion doza të vaksinës Pfizer/BioNTech të vihen në dispozicion në tremujorin e parë të 2021, në varësi të arritjeve të marrëveshjeve shtesë.

Këto doza do të plotësohen “me vëllime më të mëdha” të vaksinës të zhvilluar nga AstraZeneca dhe Universiteti i Oksfordit.

“Vëllime shtesë të dozave të vaksinës Pfizer-BioNTech do të jenë të disponueshme gjatë tremujorit të dytë dhe më tej, në përputhje me marrëveshjen e paradhënies së blerjes të nënshkruar midis Gavi dhe Pfizer-BioNTech për deri në 40 milion doza”, thuhet në dokument.

“Dozat totale mbulojnë mesatarisht 3,3% të popullsisë së 145 pjesëmarrësve”, në përputhje me synimin e mbulimit 3% gjatë gjashtë muajve të parë të 2021, të cilat janëtë mjaftueshme për të mbrojtur grupet më të prekshme siç janë punonjësit e kujdesit shëndetësor, nënvizon dokumenti.

Këto parashikime varen gjithashtu nga disa elementë, si përgatitja e vendeve./ATSh