“Ç’më iket atje larg, atje ku mbytet thellë zilia dhe nderi s’shitet për paranë”

0
110

Nga Marjeta Çurumi

Ç’më iket larg, sot në një vend,
ku nuk ka tym dhe mjegull nga gënjeshtrat,
aty ku lajkat nuk pinë ujë
dhe më të dashura janë të thjeshtat.

Të thjeshtat fjalë dhe qëndrime
që të ndihmojnë të njohësh veten
me pak takt dhe shumë mësime
ta lehtësojnë,ta ndrisin jetën.

Ah, ç’më iket atje larg,
ku njerëzit shohin të tyret punë
Atje,ku të vërtetat i lihen kohës
dhe ku me laps s’qarkohet ”Unë!”

Atje ku merr frymë dashuria
për mikun, shokun edhe shakanë
atje ku mbytet thellë zilia
dhe nderi s’shitet për paranë.

Eh, ç’më shkohet në një vend,
që për ta gjetur s’kam unë kurrë
Ndaj sot unë mbetem po me letër,
me vargje derdhur nëpër duar.