Çka është Mbrojtja Civile? Sot është dita e saj

0
66

Dita Botërore e Mbrojtjes Civile festohet çdo 1 mars në kujtim të hyrjes në fuqi, në vitin 1972, të Kushtetutës së Organizatës Ndërkombëtare të Mbrojtjes Civile (ICDO), si një organizatë ndërshtetërore.

Qëllimi i ICDO-së është sjellja në vëmendjen e publikut në mbarë botën e rëndësisë jetike, që ka mbrojtja civile, si dhe një nderim për të gjithë personelin e shërbimeve kombëtare për përpjekjet, sakrificat dhe përgjegjësitë e tyre për të luftuar kundër fatkeqësive.

Në shumë vende të botës, në këtë datë bëhen bilancet e punës së kryer nga ky shërbim humanitar në ndihmë të komunitetit të çdo vendi, në lidhje me parandalimin dhe përballimin e fatkeqësive natyrore dhe atyre të shkaktuara nga njeriu.

Kjo datë përmban në vetvete kontributin e të gjithë shoqërisë për bashkëpunimin dhe koordinimin e veprimtarive të strukturave shtetërore dhe vullnetare, në mbrojtjen e jetës individuale dhe kolektive të njerëzve, gjësë së gjallë, pasurisë, institucioneve, trashëgimisë kulturore dhe të mjedisit, kundër pasojave të fatkeqësive natyrore, ose fatkeqësive të tjera.