Cilat vitamina gjenden në lloje të caktuara të ushqimit?

0
210

Ajo çfarë hamë ka rëndësi të jashtëzakonshme për shëndetin, ndërsa pranvera është koha kur ushqim të shëndetshëm ka me bollëk.

Pikërisht për të kemi nevojë për të luftuar më lehtë me lodhjen pranverore. Disa lloje ushqimeve nxisin aftësitë natyrore të organizmit për të luftuar kundër sëmundjeve, ndërsa disa ia japin energjinë dhe balancën e nevojshëm sistemit tretës. Ja cilat vitamina gjenden më së shumti në cilat ushqime.

Vitamina A

Kjo vitaminë zbërthehet në yndyra dhe ndihmon në ruajtjen e shëndetit të dhëmbëve, eshtrave, indeve të buta dhe lëkurës, transmeton koha.net. Po ashtu, është kyçe për luftën kundër infeksioneve bakteriale dhe virusale, parandalimin e verbërimit të natës dhe thonjtë dhe eshtrat e shëndetshme.

Më së shumti gjendet në pataten e ëmbël, karotë, spinaq, lakër jeshile dhe perime të tjera me gjethe, pjepër, kajsi dhe kunguj.
Disa mëlmesa po ashtu janë të pasura me vitaminën A, dhe mes tyre kryesisht ato që janë krijuar nga specat e thatë.

Vitamina B

Vitaminat B6, B12 dhe acidi folik (B9) ndihmojnë sistemin nervor, sintezën e ADN-së dhe formimin e rruazave të kuqe të gjakut. Po ashtu, ruajnë funksionimin e trurit, parandalojnë aneminë dhe janë të rëndësishme për metabolizmin.

Ushqimet e pasura me vitaminat B6 dhe B12 janë: mishi i kuq, mishi i pulës dhe peshkut, frutat e detit, vezët dhe qumështi.
Ushqimet e pasura me acid folik: perimet e gjelbra me gjethe, mishi i pulës, agrumet – më së shumti portokalli dhe grejpi.

Vitamina C

E njohur edhe si acid askorbik, vitamina C është antioksidant i fort, i cili mbron shëndetin e qelizave dhe përmirëson absorbimin e hekurit.

Është vitaminë e rëndësishme në ruajtjen e shëndetit të dhëmbëve, mishit të dhëmbëve, shërimit të plagëve dhe ndihmon trupin në luftën kundër infeksioneve.

Ushqimi i pasur me vitaminë C: papaja, agrumet, dredhëzat, specat, brokoli, purrini, perimet e gjelbra me gjethe.

Vitamina D

Kjo është vitaminë unikë, sepse trupi mund ta krijojë vetë nëse u ekspozohemi rrezeve të diellit. Ka rëndësi kyçe për shëndetin e eshtrave, sistemin e imunitetit dhe absorbimin e kalciumit.
Sipas Institutit nacional amerikan për studimin e kancerit, kjo vitaminë redukton rrezikun nga kanceri i zorrës së trashë. Megjithatë, ende nuk është dëshmuar që redukton rrezikun nga llojet tjera të kancerit.

Ushqimi i pasur me vitaminë D: disa lloje të peshkut si salmoni, harenga, soja, qumështi, vezët, kërpudhat shi-take.

Vitamina E

Si vitamina C, ashtu edhe vitamina E është antioksidant i fuqishëm që mbron qelizat nga dëmtimi, ndihmon trupin të absorbojë vitaminën K dhe ripërtërin qelizat muskulore. Hulumtimet të cilat kanë studiuar vitaminën E dhe ndikimin e saj në kancer kanë dhënë rezultate kontradiktore. Megjithatë, Shoqëria amerikane për luftën kundër kanceri thotë që hulumtimet e fundit sugjerojnë që vitamina E nga misri dhe soja kanë veçori antikancerogjene.

Ushqimi i pasur me vitaminë E: farat e lulediellit, bademet, spinaqi dhe perimet tjera të gjelbra, specat dhe shpargu.

Vitamina K

Vitamina K është kyçe për mpiksjen e gjakut. Po të mos ishte kjo, nga prerjet e zakonshme do të na rridhte gjak deri në vdekje. Hulumtimet thonë që kjo vitaminë e cila tretet në yndyra ndihmon të mbahen eshtrat e forta.

Ushqimi i pasur me vitaminë K: lakra, spinaqi dhe perimet tjera të gjelbra, shpargu, brokoli dhe majdanozi.

Madje edhe në përpiqeni të hani shëndetshëm, mund të jetë vështirë që në bazë ditore të konsumoni vitaminat të cilat janë të nevojshme për organizmin. Për këtë arsye mund të vini në tundim dhe të merrni shtesa të ushqimit, por Shoqata amerikane për shëndetin e zemrës pohon që ky nuk do të ishte vendimi më i mirë.

Më së miri është të hani sado që mundeni pemë dhe perime adekuate, ndërsa kjo në planin afat gjatë do të ishte e shkëlqyeshme për trupin tuaj./atsh