Challandes: Tani jemi në nivel tjetër, e dimë çfarë ndeshjesh na presin

0
37

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes, është paraqitur sot në konferencë për media në prag të ndeshjes miqësore me Danimarkën, e cila do të zhvillohet të enjten në orën 19:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

“Jam i lumtur që jam këtu dhe me skuadrën pas katër muajsh. Për mua është kënaqësi që të jem këtu dhe që do të fillojmë një cikël të ri. Për mua është një sfidë mjaft e vështirë, pasi tashmë kemi kaluar në një nivel tjetër. Kemi pasur sukses në Ligën e Kombeve dhe në miqësore, por e dimë saktësisht çfarë na pret. Nuk luajmë më kundër rivalëve të Ligës D, por ndaj ekipeve nga Liga A dhe B që nënkupton që janë ekipe të kategorisë krejt tjetër. Kjo është një tjetër garë, një tjetër jetë për skuadrën tonë. Për mua është një fazë interesante për ta parë zhvillimin e ekipit tonë dhe për ta përsëritur edhe një herë, vitin e kaluar kemi pasur sukses, por tani gjithçka fillojmë nga zero”, ka theksuar Challandes, i cili më pas iu ka përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.