Challandes e pret me optimizëm përballjen me Moldavinë

0
96

Kombëtarja e Kosovës e ka kryer seancën e fundit stërvitore në prag të duelit me Moldavinë, që zhvillohet sonte në orën 20:45.

Kjo njëherësh është ndeshja hapëse për edicionin e ri të Ligës së Kombeve. Dardanët kanë zbritur në fushën e stadiumit “Ennio Tardini” të kompletuar dhe me motiv të madh për sukses, teksa kanë marrë udhëzimet nga përzgjedhësi Bernard Challandes për lojën e nesërme.

Ky i fundit në konferencën për mediat vendore, e cila u mbajt nëpërmjet platformës online “Zoom”, shprehu optimizmin për nismë të mbarë të ciklit të ri të garave. Challandes vuri në pah se Moldavia është një test i rëndësishëm për Kombëtaren tonë, derisa theksoi se do të hyjnë për ta fituar këtë ndeshje.

“Ndaj Moldavisë luajmë për fitore. Është një ndeshje garuese dhe në ndeshje të tilla është e qartë se luajmë gjithmonë për fitore. Pa dyshim është një test i mirë për ne, prandaj është e rëndësishme që përveç lojës së mirë edhe të fitojmë”, ka theksuar Challandes.

Sa i përket faktit se 7 lojtarë iu kanë bashkuar ekipit vetëm ditën e sotme, trajneri i Dardanëve është shprehur: “Natyrisht se para një ndeshje të tillë nuk është mënyra më e mirë që të kesh vetëm një stërvitje me ekipin, por nuk mund ta ndryshojmë gjendjen. Gjithçka në këto rrethana është ndryshe, andaj duhet ta bëjmë më të mirën në kushtet dhe situatën që ndodhemi. Është e qartë se ka dallime në formën e lojtarëve, por po e përshtatim punën për secilin prej tyre”, ka shtuar Challandes.