Çfarë thotë vendimi i Qeverisë për 300 euro shtesë për punëtorët shëndetësorë

0
104

Qeveria e Kosovës më datën 5 korrik ka marr vendim që të shpërblejë punëtorët shëndetësorë në tre nivelet me nga 300 euro shtesë për dy muaj, korrik dhe gusht.

Në pikën 1.1 të këtij vendimi thuhet se shuma e aprovuar prej 300 eurove shtesë dedikohet vetëm për personelin publik shëndetësorë të cilët janë ekspozuar drejtpërdrejt ndaj rrezikut të infektimit në punë gjatë trajtimit të pacientëve me Covid, gjatë muajve korrik dhe gusht.

“Kriteret bazike dhe procedurat e përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë për përfituesit e kësaj shtese të cilët kanë qenë aktiv në periudhën korrik-gusht, janë si në vijim: Mjekët të cilët janë marr direkt me trajtimin e pacientëve me Covid-19; dhe Infermierët dhe teknikët të cilët janë marr me trajtimin direkt të pacientëve me Covid-19”, thuhet në pikën 1.2 të këtij vendimi.

Vendimi ka përcaktuar se institucionet shëndetësore duhet t’i dorëzojnë listat në Ministrinë e Shëndetësisë bazuar në këto kritere. MSH javën që shkoi i ktheu mbrapsht listat e SHSKUK-së, me arsyetimin se nuk ishin në përputhje me vendimin e Qeverisë.

Ndërkaq gjatë ditës së djeshme listat janë dorëzuar sërish, pas takimeve që mbajti me sindikalistët drejtori i SHSKUK-së Valbon Krasniqi.

Sindikalistët e infermierisë thanë se këto lista janë përmirësuar, ndërkaq më vonë deklaruan sërish se në lista janë përfshirë të gjithë infermierët pa dallime. /Gazeta Shneta/