Çfarë po ndodh me biletat për ndeshjen Kosovë-Angli? Flet Agim Ademi

0
115

Teksa ndeshja Kosovë – Angli po afrohet shumë pakënaqësi ka nga ata që dëshirojnë të shohin ndeshjen në Stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Por, të dielën, më 17 nëntor, me bileta online mund të jenë vetëm 10 mijë e 500 persona.

Kështu, kryetari i federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi shpjegon për oxygenpress.info

Ai tregon të gjitha detajet për ulëset në stadium dhe tregon se sistemi për shitjen e biletave nuk do të ndryshojë ngase, siç thotë ai, është nga më të sofistikuarit.

“Në stadiumin “Fadil Vokrri” janë 12 mijë e 460 karrige dhe aq bileta janë  në dispozicion, e nuk mund të përballen dy për një vend. Ai që e ka marr biletën online është i vërteti. Janë aq karrige, por online dalin vetëm 10 mijë e 500 bileta për shkak se Federata ka obligime ndaj tifozëve, pra Dardanëve, pastaj 875 bileta i takojnë ekipit mysafir, që këto dyja janë rreth 900 bileta bashkë.

Pastaj 100 bileta në perëndim dhe 20 bileta VIP, të cilat janë të dedikuara dhe është obligim ndaj UEFA’s, poashtu janë edhe diku rreth 430 bileta janë që duhet të jenë vende të zbrazëta për çështje sigurie të cilat i mbanë inspektori i UEFA’s, është obligative”, shpjegon Ademi për oxygenpress.info

Prokuroria tashmë po heton rastin e biletave, e që Ademi thotë se herën e fundit kur janë paraqitur disa bileta false, ata vet kanë ftuar Prokurorinë për hetim.

“Biletat pa para, me zero, të cilat asnjëherë nuk duhet të keqpërdoren e as nuk janë keqpërdoren, të tilla asnjëherë askush mos të blejnë, sepse janë bileta falas, dhe ato i marrin institucionet, protokolli shtetëror pastaj, i japim bileta klubeve tona, delegatëve të federatës së futbollit, dhe biletat e tjera që janë nga dy për administratë, tri për komitetin ekzekutiv, pra këto janë. Federata është OJQ dhe mund të vendosim t’i lëmë online, t’i largojmë, t’i falim të gjitha, të ndryshojmë çmimin apo ngjashme. Çmimet i kemi lënë shumë të ulëta që nuk ka asnjë kombëtare që ka çmime kaq të ulëta, këtë e kemi bërë si shpërblim për tifozët”, thotë Agim Ademi.

Ndër të tjera thotë se i vjen keq për të gjithë ata që dëshirojnë ta shohin ndeshjen në stadium por që nuk mund të blejnë bileta por thotë se i vjen mirë që ka interesim kaq të madh, e që fatkeqësisht nuk mundin tu sigurojnë bileta të gjithëve.

Teksa tregon se Stadiumit “Fadil Vokrri” pritet t’i shtohet edhe 7 mijë ulëse, thotë se sistemi online i biletave nuk do të ndryshojë.

“Ai që e njeh sistemin e din që është më i miri, ky sistem nuk do të ndryshojë dhe nuk ka shanse që të ketë keqpërdorime online. Secili i merr tri, apo në këtë rast dy bileta, dhe ai është pronari. Si veprojnë pastaj me to dhe nëse ato mund të dalin në tregun e zi atëherë është çështje e policisë e drejtësisë, ne nuk merremi me tregun e zi. Vetëm një rast e gjen që organet e FFK-së e bëjnë ndonjë shitje atëherë përgjegjësia bie krejtësisht te ne”, thotë Ademi për oxygenpress.info

Ndërkohë, shpjegon se sistemi online i biletave mundëson se të konkurrojnë 20 mijë persona për 10 mijë e 500 bileta, e që secili mundet t’i kërkojë nga dy, në këtë rast.

Sistemi pastaj bllokon për faktin që dikush ka hyr më herët dhe derisa nuk e përfundon blerjen tjetri nuk mund të kyçet, është çështje minutash.

Ka raste shumë , kur për ndonjë arsye personave nuk u mundësohet blerja, qoftë kartela, të dhënat apo të ngjashme, dhe ato bllokohen si ulëse, ku vonon deri në 48 orë që të debllokohen.

Ademi siguron që ky sistem për shitjen e biletave është më i sofistikuari dhe më i drejti, përdoret për të gjitha llojet e biletave në Evropë, si dhe është më së lehti i kontrollueshëm./Oxygenpress.info