Çfarë po kërkon kjo nëndetëse turke në Shqipëri?

0
130

Nëndetësja turke “TCG GÜR S-357”, e cila mbante flamurin turk, por edhe flamurin shqiptar si vend pritës, u ankorua në Portin e Durrësit javën që lam pas, ku u prit nga përfaqësues të institucioneve turke në Shqipëri, si dhe përfaqësues të institucioneve të Shqipërisë.

Në pritjen e nëndetëses ishin të pranishëm atasheu ushtarak i Republikës së Turqisë në Shqipëri, kolonel Şakir Cumhur Somer, përfaqësues të Shtabit të Forcës Detare të Shqipërisë, ushtarakë turq dhe shqiptarë, të cilët i uruan mirëseardhjen personelit të nëndetëses.

“TCG GÜR S-357” do të qëndrojë në Durrës deri më 18 mars, ndërsa do të vizitohet në ditët në vazhdim nga përfaqësues të institucioneve turke në Shqipëri dhe zyrtarë shqiptarë.

Ajo do të vizitohet gjatë ditës së premte edhe nga përfaqësues të institucioneve lokale në qytetin e Durrësit.

Nëndetësja turke “TCG GÜR S-357” ka ardhur në Portin e Durrësit në zbatim të planit të bashkëpunimit ushtarak mes Republikës së Turqisë dhe Republikës së Shqipërisë, ndërsa me vizitën e saj synohet që të thellohet edhe bashkëpunimi në fushën ushtarake mes dy vendeve.

Nëndetësja është e gjatë 62 metra, e gjerë 6,2 metra dhe peshon 1.400 tonë, ndërsa personali i saj përbehet nga 45 persona.

Në vitet e fundit Shqipërinë e kanë vizituar disa nëndetëse turke, në kuadër të zhvillimit të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ushtarak midis Turqisë dhe Shqipërisë. Nëntorin e vitit të kaluar Porti i Durrësit u vizitua edhe nga Fregata “TCG ORUÇREİS F-245” e Forcave Detare të Turqisë.