Çfarë ka ndodhur më 2 janar?

0
57
366 – Një numër i madh forcash të fisit Alemanni kalojnë lumin e ngrirë Rhein duke pushtuar territore të perandorisë romake. Alemanni (Alamani) ishin një konfederatë fisesh gjermanike në pjesën e sipërme të lumit Rhein. Përmendur së pari nga Romakët në vitin 213, Alemanni kishin filluar të përhapeshin që në vitet 260, duke u shtrirë nga kufijtë e Ilirisë deri në rajonet e Zvicrës veriore, ku çuan gjuhën gjermane që flitet atje
edhe sot. Në vitin 496, trojet Alemanni u pushtuan nga udhëheqësi frank, Klovis dhe u përfshinë në zotërimet e tij. Trashëgimia e Alemannit mbijeton në emrat e Gjermanisë në disa gjuhë. Sipas Asinius Quadratus (cituar në mesin e shekullit të 6-të nga historiani Bizantin Agathias) emri Alemani do të thotë “të gjithë bashkë”, çka i bën ata një grup shumë-fisesh gjermanike. Kjo etimologji është pranuar si prejardhje standarde e termit. Straboni, një murg i manastirit Shën Gall në shekullin e 9, duke diskutuar mbi banorët e Zvicrës dhe rajonet përreth që flasin gjermanisht, thotë se vetëm të huajt i thërrasin Alemanni, sepse veten ata e quajnë Suebi, “të bashkuar”.
1492 – Ripushtimi i Emiratit të Granadës: Fortesa e fundit e mbajtur nga Morët në Spanjë, dorëzohet. Një ndihmë e vetme dhe e kufizuar erdhi nga osmanët në Afrikën e Veriut, por pa efekt. Nëpërmjet Traktatit të Granadës, popullsive myslimane dhe hebraike u jepeshin garanci për mbrojtje dhe të drejta, por këto nuk u respektuan. Kjo çoi në kryengritje në vitin 1500 e cila u shtyp shpejt; një konflikt shumë më i përhapur 1568 – 1571 çoi në dëbimin e pothuajse të gjithë Morëve nga ish-emirati dhe nga rajone e tjera të Spanjës. Rënia e Granadës së shpejti do të pasohej nga një valë zgjerimi spanjoll në Afrikën e Veriut, duke filluar me pushtimin e Melillas në bregun e Marokut më 1497. Granada ende e feston 2 janarin si ditën e çlirimit.
1788 – SHBA: Xhorxhia bëhet shteti i katërt që ratifikon Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara. Provinca e Xhorxhias ishte një nga trembëdhjetë kolonitë që ngriti krye kundër sundimit britanik në Revolucionin Amerikan duke nënshkruar Deklaratën e Pavarësisë 1776. Në fillim të vitit 1861, Xhorxhia iu bashkëngjit Konfederatës dhe u bë fushë-betejë kryesore e Luftës Civile. Një nga betejat u zhvillua në Atlanta në vitin 1864, e cila rezultoi me djegie vrasje dhe shkatërrime ndërsa forcat e Unionit nën komandën e gjeneralit Sherman vërshuan nga Atlanta në Savanah. Mbi 18 mijë ushtarë të Xhorxhias u vranë. Në vitin 1870, pas rindërtimit, Xhorxhia u bë shteti i fundit i rikthyer në Bashkim. Filmi “Shkoi bashkë me erën” përshkruan këto ngjarje në Xhorxhia gjatë luftës civile.

1839 – Louis Daguerre, pioner francez i fotografisë, është I pari që realizon fotografimin e Hënës. Da Guerre ( 1787 – 1851) ishte piktor dhe fizikan i njohur për shpikjen e procesit të fotografimit të portretit. Ai u bë i njohur si një nga etërit e fotografisë. Edhe pse i famshëm për kontributet e tij në fotografi, Da Guerre ishte gjithashtu një piktor i arrirë dhe zhvillues i teatrit diorama (3-D).

1942 – Në Uashington, Shtëpia e Bardhë njofton se Pakti kundër Fuqive të Boshtit ishte nënshkruar nga 26 vende. Por as Etiopia dhe as Shqipëria, të pushtuara nga Italia anëtare e Boshtit, nuk ishin ftuar për të nënshkruar dokumentin. Presidenti Ruzvelt, thuhet se, iu drejtua Çurçillit: “Winston, kemi harruar Zogun”. Megjithatë, mbreti Zog nuk vonoi, dhe i telegrafoi Ruzveltit se Shqipëria bashkohet me Deklaratën e Washingtonit pa asnjë mëdyshje

1946 – Shqipëri: Një muaj pasi Fronti Demokratik mori kontrollin e Asamblesë së re Kombëtare, qeveria komuniste shpalli jasht-ligjësimin e monarkisë. Kështu, mbreti Zog u shkarkua zyrtarisht de-jure; atij dhe trashëgimtarëve iu hoqën të gjitha të drejtat dhe pronat; dhe u ndalohej “përgjithmonë” kthimi në territorin e Shqipërisë.

Mendim i ditës
“Qeveri e mirë është ajo që qeveris më pak.”
Henry David Thoreau